Cakaj: Rajoni dhe integrimi europian, prioritete kryesore të diplomacisë

TIRANË 30 tetor/ATSH – I. Vata/ Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj i pranishëm në Komisioni për Politikën e Jashtme për shqyrtimin në parim për miratimi i kalendarit për “Projektligjin e Buxhetit 2021” ka renditur katër prioritete kryesor të diplomacisë, që nisin me rajonin, dhe integrimin europian të Shqipërisë.

Në fjalën e tij, Cakaj shprehet se kjo çështje është e një rëndësie të veçantë qoftë për shkak se buxheti i vitit të ardhshëm do jetë thelbësor për të përballuar disa sfida të politikës së jashtme të Shqipërisë qoftë për të diskutuar për disa arritje kryesore të politikës së jashtme të këtij viti.

“Prioriteti i parë i këtij viti që do të reflektohet edhe në buxhetin e vitit tjetër është patjetër angazhimi i Shqipërisë në rajon. Ky angazhim është i ndarë në dy nivele. Fillimisht në punën që bëjmë në rrafsh dypalësh me shtetet e rajonit dhe veçanërisht me shqiptarët, dua të theksoj se gjatë këtij viti është mbajtur dhe mbledhja ndërqeveritare me Republikën e Kosovës e cila kësaj radhe karakterizohet edhe prej disa marrëveshjeve më ambicioze veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik. Në anën tjetër, këtë vit kemi pasur një fokus të posaçëm në forcimin e pozicionit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës qoftë me punën politike që kemi bërë me ta me ndërmjetësimin e dy koalicioneve për unifikimin e faktorit politik, por realisht me mbështetje financiare të shumë projekteve dhe mes të tjerave po theksoi marrjen e përgjegjësive të rregullta për financimin e Këshillit Kombëtar atje”, tha ai.

Cakaj shtoi se “të njëjtën gjë kemi bërë edhe në Malin e Zi të cilat janë marrë tre vendime të cilat realisht do të kenë implikime në buxhetin e ardhshëm që është vendimi për hapjen e konsullatës së përgjithshme në Strugë, Ulqin dhe po presim përgjigje nga Serbia për hapjen e konsullatës në Bujanoc dhe të gjitha këto instrumente janë realisht në fuqizimin e identitetit kombëtarë atje nga njëra anë dhe nga ana tjetër po ashtu e konsolidimit  të lidhjeve institucionale mes Shqipërisë dhe shqiptarëve të të gjitha këtyre hapësirave. Këto zyra nuk janë funksionalizuar dhe realisht do të jenë pjesë e projektit që kemi për vitin 2021”.

Prioriteti i dytë tha Cakaj që po ashtu do të ketë implikime buxhetore është natyrisht procesi i integrimit europian.

”Në kuadër të procesit të integrimit europian tashmë duhet të vlerësojmë faktin se është marrë vendimi për çeljen e negociatave për anëtarësim në mars të këtij viti, por natyrisht vendimi është i shoqëruar edhe me plotësimin e disa kushteve dhe puna ka filluar edhe me kryerje e disa detyrimeve teknike dhe për këtë  po punon zyra e kryenegociatorit me të gjitha strukturat përkatëse”, tha ai.

Në vijim, Cakaj shtoi se në këtë vit kemi përmbyllur përfundimisht të gjitha procesin e të gjitha takimeve të screen-it, pjesës shpjeguese të tij. Janë mbajtur takimet e parapara aq sa ka lejuar pandemia dhe rrethanat e jashtëzakonshme në kuadër asociim-stabilizimit dhe natyrisht jemi duke punuar për konsolidimin e grupit teknik negocioues.

Po ashtu, Cakaj shtoi se prioriteti i tretë natyrisht që do të ketë ndikim në buxhet është kryesia e Shqipërisë së OSBE-së.

“Deri më tani, përveç aktiviteteve ditore që janë mbajtur dhe kanë qenë pjesë e rutinës së institucionale të Ministrisë së Jashtëm janë mbajtur dhe konferenca të mëdha antisemitizmin, antikorrupsionin dhe antiterrorizmin dhe natyrisht këto kanë pasur implikimet e tyre buxhetore por tashmë përpara kemi dy ngjarje të rëndësishme. Ngjarja e parë është mbajtja e takimit të Ministrave të Jashtëm në Tiranë  dhe duhet të përgatitemi për kryesimin e grupit Aziatik meqenëse sipas rregullit që kërkon kryesimi i OSBE-së, gjithmonë kryesia e radhës bëhet dhe kryesuese e grupit aziatik dhe natyrisht edhe kjo duhet të jetë pjesë e planifikimeve buxhetor për buxhetin 2021”, tha ai.

Një tjetër prioritet, tha Cakaj  është dhe përgatitja jonë për marrjen e ulëses së anëtarit jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit.

“Fushat ka qenë realisht dhe më herët por tashmë është intensifikuar në gëzojmë mbështetje të konsiderueshme. Shqipëria është në një pozicion solid për shkak se nuk ka një kandidat tjetër, por duhet theksuar se tashme jemi në procesin edhe të forcimit të misionit në New York i cili do të ketë një punë shumë të rëndësishme nëse Shqipëria zgjidhet anëtarë jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit për vitin 2022-2023, dhe po ashtu për ngritjen e Drejtorisë së Posaçme në kuadër të Europës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë që do merret me këtë çështje”, tha ai.

Gjithashtu Cakaj shton se, natyrisht në qendër të angazhimeve tona do të jetë edhe diaspora, edhe punët rreth shërbimeve konsullore dhe diplomacia.

Në fund, Cakaj tha se “buxheti aktual i propozuar është i ndarë në katër programe kryesore.

“Programi i Planifikimit të Menaxhimit dhe Administrimit, Mbështetjes diplomatike jashtë vendit, aktiviteti diplomatik e konsullor i Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe e fundit mbështetja për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, si prioriteti kryesor i vendit. Buxheti aktual është i përbërë prej 2 675 656 mijë lekë, ndërkaq që duhet të theksoi se krahasuar me planifikimin buxheti ka pasuar një shkurtesë të vogël në vlerë për 130 milionë lekësh, por se duhet pasur parasysh se shkurtesat në buxhet kanë qenë objektive, pasi është përballur me tërmetin dhe pandeminë”, tha ai. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.