Cakaj: Holanda vlerëson pozitivisht arritjet e deritanishme të Shqipërisë në pesë prioritetet kyçe

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Holanda vlerëson pozitivisht arritjet e deritanishme të Shqipërisë në pesë prioritetet kyçe.

Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Holandës, Stef Blok.

Diskutimi kryesor mes dy homologëve ishte rruga evropiane e Shqipërisë, për të cilën Cakaj e informoi hollësisht Blok mbi përparimin që ka bërë Shqipëria në përmbushjen e detyrimeve të nevojshme për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

“Sapo zhvillova një bisedë të shkëlqyer me ministrin e Jashtëm të Holandës, Stef Blok. Çështja kryesore e bisedës sonë ishte rruga europiane e Shqipërisë. E informova hollësisht mbi përparimin që ka bërë Shqipëria në përmbushjen e detyrimeve të nevojshme për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare”, tha Cakaj.

“Përkushtimi ynë është i plotë, për të mbyllur të gjitha detyrimet e nevojshme, për të përparuar në procesin e negociimit të anëtarësimit në Bashkimin Europian”, u shpreh Cakaj, lidhur me telefonatën e zhvilluar.

Gjithashtu, Cakaj theksoi se Holanda vlerëson pozitivisht arritjet e deritanishme të Shqipërisë në pesë prioritetet kyçe dhe vazhdon ta mbështesë procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor.

“Përderisa mbetet ende punë për t’u bërë, vlen të theksohet se Holanda vlerëson pozitivisht arritjet e deritanishme të Shqipërisë në pesë prioritetet kyçe dhe vazhdon ta mbështesë procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor”, tha Cakaj.

“Shqipëria do të vazhdojë vetëm përpara e drejt Bashkimit Evropian”, theksoi Cakaj.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.