Bylykbashi: Ndryshimet e Kodit Zgjedhor kundër Kushtetutës dhe marrëveshjes së 5 qershorit

TIRANË 30 tetor/ATSH – I. Vata/ Ish-deputeti dhe përfaqësuesi politik i PD-së në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi ka reaguar sot në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Në reagimin e tij, Bylykbashi shprehet se “përtej, anash apo përfund 5 qershorit. Ndryshimet e djeshme te njëanshme në Kodin Zgjedhor nuk shkojnë “përtej” marrëveshjes se 5 qershorit. Këto ndryshime shkojnë: kundër Marrëveshjes së 5 qershorit 2020 dhe, siç thonë eurodeputetët në shkresën e tyre, “thyejnë marrëveshjen e 5 qershorit në germë dhe frymë”; kundër Kushtetutës dhe parimeve të saj që garantojnë zgjedhje te barabarta dhe të  ndershme”.

Bylykbashi shton se “ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë poshtë standardeve të OSBE-së dhe Këshillit të Europës, kundër kërkesës së BE-se që të pritet opinioni i Komisionit të Venecias. Pra shkojnë kundër interesit të shqiptarëve për integrim në Europë, si një vend qeveria e të cilit në 2021 nuk bën zgjedhje të lira e të ndershme”.

“Ndaj nuk duhet të habiteni pse rriten taksat, pse taksat tuaja vidhen me koncensione korruptive, pse pasi vidhen taksat tuaja nuk ka më para për të blerë tamponë për Covid-19, për të dhënë ndihmë ekonomike për bizneset që po vuajnë pasojat e pandemisë, apo për të rindërtuar shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti. Një qeveri që nuk do zgjedhje të lira e të ndershme e bën sepse nuk do të japë llogari. Ndaj duhet shporrur më 25 prill 2021”, shprehet ai. /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.