Buxheti 2021 për arsimin/ Rritet në mbi 43 miliardë lekë, 4.2% më shumë se vitin e kaluar

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Buxheti për mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë në vitin 2021 llogaritet në 43 miliardë e 314 milionë lekë me një rritje prej 4.2 % më shumë se vitin e kaluar.

Mirela Bimo, drejtoresha e buxhetit në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë tha sot në Komisionin e Kuvendit për Punën dhe Çështjet Sociale se, “buxheti i vitit 2021 vjen në përmbushje të plotë të objektivave kryesorë të ministrisë dhe të 7 programeve bazë që mbulon ajo”.

Sipas saj, buxheti për vitin 2021 është rritur me një fond prej 1 miliard 747 milionë lekë krahasuar me një vit parë, ndërkohë që i shtohet edhe fondi 3.5 miliardë lekë për rritjen e pagave me 15% në sektorin e arsimit që hyn në fuqi në 1 janar të 2021.

“Fondi për shpenzimet publike janë të parashikuara në nivelin 7.37% të totalit të buxhetit për këtë ministri dhe në raport me prodhimin e brendshëm bruto zënë 2.57%”, – tha Bimo.

Ajo theksoi se po t’i shtojmë këtij buxheti edhe fondet për arsimin profesional, apo fondet adresuar pushtetit vendor për sektorin e arsimit, buxheti total për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe sektorin e arsimit llogaritet në shumën 75.8 miliardë lekë.

Sipas saj, në fokus është edhe investimi për rininë dhe sportet.

“Vetëm për sektorin e rinisë dhe sporteve buxheti i vitit 2021 kap shifrën e 2% të totalit. Për këtë komponent fondi buxhetor është rritur 1.9% krahasuar me një vit më parë duke shënuar një dyfishim të buxhetit për këtë program”, – deklaroi Bimo. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.