BRITANI E MADHE – Londra vendos kufizime për eksportin e vaksinave të gripit

LONDËR, 30 tetor /ATSH-AFP/ – Qeveria britanike njoftoi sot se do të vendoste kufizime në eksportin e vaksinave të gripit, për t’u siguruar që ato të jenë të mjaftueshme për popullsinë britanike.

“E morëm këtë masë në përgjigje të kërkesës së fortë për vaksinat e gripit nga vendet e tjera, për të zvogëluar rrezikun e eksportimit të këtyre produkteve”, tha në një deklaratë Ministria e Shëndetësisë.

“Kjo lëvizje do të mbrojë furnizimin tonë me vaksinat e gripit, si pjesë e planeve tona për të shpërndarë 30 milionë vaksina gripi përpara këtij dimri të paparë”, sqaroi ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock.

Programi publik i vaksinimit të gripit është zgjatur këtë vit në Angli për shkak të pandemisë së COVID-19.

Objektivi i autoriteteve shëndetësore është të zvogëlojnë rrezikun e vdekshmërisë në rast të hasjes së dy sëmundjeve njëkohësisht (gripi dhe COVID-19), si edhe të shmangin mbingarkesën e spitaleve./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.