Basha e prezantoi infermierin si ekspert të pandemisë/ Rama: Tallet me popullin, zgjohu se s’ka lezet fare kjo farë derexheje


TIRANË, 30 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama publikoi një video ku shfaqet kreu i PD, Lulzim Basha gjatë deklaratës së një dite më parë me mediet i cili flet në lidhje me mungesën e tamponëve, e më pas shfaq edhe deklaratën e mjekut Zija Alhysa që flet për këtë çështje.

Në videon e tij, Rama ka publikuar dokumente që tregojnë se Alhysa nuk ka arsimin e duhur për të qenë mjek, por është një ndihmësepidemiolog që ka bërë një kurs 1-vjeçar për infermier.

Kush është Zija Alhysa? Zija Alhysa është emëruar ndihmës/epidemiolog në Kujdesin Parësor të Durrësit në janar të 2007-ës, ku edhe punon, dhe jo mjek. Por kush është personazhi që Basha e shet si mjekun që meriton të dëgjohet me gojë hapur? Nëse po prisni diplomën e një doktori shkencash do të zhgënjeheni. Duket që Alhysa ka qenë edhe një nxënës dhe jo aq i dalluar. Zija Alhysa ka kryer vetëm shkollën e mesme bujqësore në vitin 1982 deri në vitin 1983. Në dëshmi dominojnë vetëm notat 5. Por si iu fut ai rrugës së mjekësisë? Siç provon edhe kjo dëshmi kualifikimi, Zija Alhysa ka kryer një kurs njëvjeçar për infermieri në vitin 1988. Siç provon edhe kjo dëshmi, edhe në këtë kurs rezultatet e tij lënë për të dëshiruar. Ndër rezultate e tij më të larta janë nota 7 në Marksizëm-Leninizëm dhe nota 8 në sëmundjet ngjitëse. Mesa duket zotërinj në PD, përveç notave thuajse ngelëse, i lidh edhe sëmundja ngjitëse e quajtur: Shpif, shpif se diçka do ngelet. Në 14.07.2015, Zija Alhysa merr më në fund lejen për ushtrimin e profesionit të infermierit siç duket kjo leje ka qenë e vlefshme deri në datë 14 maj të 2020. Nuk dihet nëse ai e ka rinovuar apo jo licencën e infermierit, por ajo që dihet tani më është që nxënësi mesatar i Marksizëm-Leninizëm është licencuar nga Lulzim Basha si mjek në shërbim të trenit të vjetër të shpifjeve shurdhuese”, thuhet në video.

“Zgjohu Lul zgjohu, zgjohu dreqin zgjohu zgjohu! Zgjohu miku im se s’ka lezet fare kjo farë derexheje kështu… Zgjohu!, shprehet Rama.

Nëpërmjet një tjetër reagimi, kryeministri Rama thekson se PD nuk duhet të tallet me qytetarët duke i dizinformuar.

“PD të mos shikojë gishtin kur gishti tregon hënën dhe hiq dorë nga reagimet me sharje e me akuza, sepse s’ia kam unë fajin atij infermierit që Lulëzimi e prezanton si mjek dhe si ekspert kombëtar të pandemisë, duke u tallur me popullin e duke dezinformuar dynjanë”, shprehet Rama.

/m.m//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.