Ahmetaj: Bregu i Lumit do të kujtohet si simbol i ndryshimit të madh social-ekonomik dhe urban

TIRANË, 30 tetor/ATSH/ “Qeveria nuk do tu lerë në asnjë moment dhe asnjë situatë vetëm dhe një pjesë e mirë e familjeve që kanë humbur banesat e tyre nga tërmeti i fortë i 26 nëntorit të vitit që lamë pas do të festojnë këtë vit të ri në banesat e tyre”, deklaroi sot ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, gjatë ceremonisë së mbajtur për nisjen e punimeve për ndërtimin e 11 pallateve për 11 mijë banorë në zonën “5 Maji”, në Tiranë.

Ministri Ahmetaj theksoi se Bregu i Lumit, një zonë e pa zhvilluar deri tani, do të kujtohet si simbol i ndryshimit të madh social-ekonomik dhe urban dhe do të jetë një nga lagjet më moderne që do të ketë kryeqyteti.

Praktikisht, tha ai, do të jetë një qytet më vete, ku do të akomodohen 11 mijë familje.

“Nuk do të jetë koncepti i një lagjeje të lënë pas dore në periferi të qytetit, por do të jetë një nga 5 qendrat e reja të Tiranës“, u shpreh ministri.

Sipas tij, në kantierin për ndërtimin e banesave kolektive në zonën “5 Maji” do të angazhohen mbi 1 600 të punësuar, ndërsa kompanitë e projektimit dhe ndërtimit janë ndër me seriozet në vend.

Në të gjithë procesin e rindërtimit në 11 bashkitë e prekura në tërmeti i 26 nëntorit, bëri të ditur ai, janë angazhuar 175 kompani ndërtimi dhe projektimi.

Ahmetaj shpjegoi se procesi i ndërtimit të shtëpive të reja për banorët e prekur nga tërmeti është unik, pasi në asnjë vend tjetër në një situatë të tillë nuk është marrë përsipër ndërtimi i shtëpive nga shteti falas për banorët.

Sipas Ahmetaj, 38 shkolla të Tiranës do të kenë rilindur nga e para dhe shkolla “Sami Frashëri” do të jetë simbol i ndryshimit të konceptit në arsim dhe infrastrukturë dhe shembull për të gjithë Shqipërinë

Ndërkohë, informoi ai, 37 shkolla po ndërtohen nga Fondi i Zhvillimit dhe 92 shkolla nga  donatorët. “Janë 160 shkolla në total që do të rindërtohen”, tha Ahmetaj.

Ministri bëri të ditur se qeveria ka mbështetur procesin e Rindërtimit me një fond prej 34 miliardë lekësh këtë vit, nga të cilat 32 miliardë lekë janë alokuar tashmë në 4 programet e procesit.

“Për ndërtimin e banesave janë akorduar 10 miliardë lekë, për ndërtimin e objekteve arsimore janë akorduar 7.4 miliardë lekë, për grantet për banorët janë akorduar 9.8 miliardë lekë, ndërsa për infrastrukturën publike janë akorduar 2.4 miliardë lekë“, u shpreh ministri.

Ahmetaj tha se gjatë vitit që vjen, fondi për Rindërtimin llogaritet 28 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2022 parashikohet të shpenzohen 6 miliardë lekë.

Më tej, ai shpjegoi edhe ecurinë e fondit të akorduar në formë granti për banorët të cilëve u është dëmtuar banesa, por mund të riparohet.

Fondet, tha ai, për meremetimin e banesave të dëmtuara lehtë ose mesatarisht llogariten 9.8 miliardë lekë nga të cilat 6 miliardë lekë janë shpërndarë tashmë te qytetarët.

“Përfitues të granteve për meremetimin e banesave llogariten 27 594 familje”, deklaroi Ahmetaj./a.gjonaj//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.