3.3 miliardë lekë buxheti për arsimin profesional në 2021-n/ Objektiv rritja e numrit të nxënësve nga zonat rurale

TIRANË, 30 tetor/ATSH/ Në projektbuxhetin e vitit 2021 për mbështetjen e arsimit profesional janë akorduar 3.3 miliardë lekë.

Drejtor i Përgjithshëm i Politikave të Arsimit Profesional dhe Punësimit në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Astrit Kuka i pranishëm në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik bëri të ditur se në të gjithë vendin janë 35 shkolla publike të arsimit profesional dhe janë të regjistruar 27 mijë nxënës.

Kuka bëri u shpreh se ka patur një përmirësim të dukshëm gjatë viteve të fundit sa i takon cilësisë së mësimdhënies, ku janë trajnuar rreth 600 mësues.

Po ashtu, deklaroi se është përmirësuar edhe kurrikula e këtyre shkollave me qëllim përshtatjen më shumë me kërkesat në tregun e punës.

Ndër objektivat kryesore, theksoi ai, është rritja e numrit të të punësuarve pas diplomimit, si dhe rritja e numrit të nxënësve nga zonat rurale në nivelin 55%, nga 43% që është aktualisht.

Objektiv, tha Kuka, është edhe rritja e numrit të personave me aftësi të kufizuar në shkollat profesionale.

Për këtë, informoi ai, është rritur buxheti si dhe numri i mësuesve mbështetës për këta n nxënës.

Kuka tha se fondi në total për zhvillimin e arsimit profesional është 3.3 miliardë lekë, nga të cilat 488.5 milionë lekë investime për rikonstruksionin e shkollave dhe bazës prodhuese. /a.gjonaj//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.