Xhaçka: Detyrimi ynë që pavarësisht vështirësive të bëjmë më shumë për minatorët e familjet e tyre

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka u ka shprehur sot ngushëllimet familjarëve të tri viktimave që humbën jetën mbrëmjen e djeshme në një minierë në Dibër.

Xhaçka e cila është edhe drejtuese politike e PS në Dibër është shprehur se është detyrim për të bërë më shumë për jetën dhe familjen e minatorëve.

“Shumë dhimbje për familjet e minatorëve që humbën jetën në Selishtë. Në këtë moment tragjedie, me mendje e me zemër ju gjendemi pranë familjeve që lanë pas Fatos Çesku, Rushdi Rushiti e Ismail Hoxha”, ka theksuar ajo.

“Ngushëllimet më të sinqerta, edhe pse, as fjalët e as dhimbja që ndajmë me ta nuk kanë për t’ua kthyer mbrapsht të dashurit e tyre”, tha Xhaçka.

Ky, ka shtuar ministrja Xhaçka, “është një vit i vështirë që vijon të na sprovojë të gjithëve. Megjithatë, është detyrimi ynë që pavarësisht vështirësive e sfidave të bëjmë më shumë për minatorët e familjet e tyre”. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.