Vaksinat antiCovid/ Shqipëria ka mundësinë të përfitojë 1 140 000 doza

TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Milva Ekonomi deklaroi sot se angazhimi në kuadër të Aleancës GAVI është një hap më shumë drejt politikës sistematike që qeveria shqiptare ka në mbulimin shëndetësor universal.

Ekonomi solli në vëmendje vlerësimin më të fundit të bërë nga prestigjiozja “Lancet”.

“Në studimin me titull “Matja e shkallës së mbulimit universal”, bazuar në indeksin e efektivitetit të mbulimit shëndetësor universal në 204 shtete të globit, Shqipëria u vlerësua me 70 pikë, si një nga vendet me efektivitet më të lartë në Ballkanin Perëndimor, por edhe me një pozicionim shumë të mirë në Europë“, tha Ekonomi.

Sipas saj, Shqipëria e merr këtë vlerësim për disa nga shërbimet që kryen, si mbulimi me dozën e parë për vaksinat kundër fruthit për fëmijët nën një vjeç në masën 92%, trajtimin e infeksioneve respiratore me antibiotik në masën 90%, apo trajtimin e kancerit të gjirit në masën 94%.

Edhe angazhimi në kuadër të Aleancës GAVI, tha ajo, për t’ju qasur vaksinës kundër COVID-19, është një hap më shumë drejt politikës sistematike që qeveria shqiptare ka në mbulimin shëndetësor universal.

Ekonomi deklaroi se anëtarësimi në këtë Aleancë dhe prokurimi i vaksinës nëpërmjet këtij mekanizmi e bën Shqipërinë që të jetë e barabartë me vendet e tjera dhe të përfitojë në momentin më të parë kur vaksina të jetë gati për ato grupe që janë më vunerabël të popullatës

“Qëllimi fillestar është që të ketë 2 miliardë doza në dispozicion deri në fund të vitit 2021, dhe Shqipëria ka mundësinë të përfitojë 1 140 000 doza, sasi kjo e dhënë me konfirmim nga Komiteti i Ekspertëve të Imunizimit. Shuma totale e kësaj marrëveshjeje është 3 990 000 dollarë amerikanë. Kjo shumë do të paguhet nga buxheti i alokuar për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor”, deklaroi ajo.

Qëllimi i projektligjit që diskutohet në Kuvend, është ratifikimi i marrëveshjes së angazhimit, ndёrmjet Republikës së Shqipërisë dhe Aleancës GAVI, për pjesëmarrjen në strukturën globale të qasjes në vaksinat COVID-19 (COVAX Facility.

COVAX është një nga katër shtyllat e Acces to Covid-19 Tools (ACT). ACT-ja u lançua në prill 2020 nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Komisioni Europian dhe Franca, për t’iu përgjigjur sfidave të krijuara nga pandemia e shkaktuar nga COVID-19, si bashkim i qeverive, organizatave shëndetësore (të nivelit global), prodhuesve, shkencëtarëve, sektorit privat, shoqërisë civile, me synimin për të siguruar një qasje inovative dhe të barabartë në diagnostikimet, trajtimet dhe vaksinat COVID-19.

Shtylla “COVAX” përqendrohet te kjo e fundit. COVAX Facility është krijuar si një mekanizëm global për të nxitur zhvillimin e shpejtë të vaksinave kandidate ndaj COVID-it, prodhimin në masë të gjerë të vaksinave të certifikuara dhe shpërndarjen e shpejtë e të barabartë për të gjitha vendet.

GAVI është një partneritet global, i cili ka në përbërje të tij organizata të specializuara të Kombeve të Bashkuara, si OBSH, UNICEF, Banka Botërore si dhe partnerë të tjerë që merren me kërkimin dhe zhvillimin e produkteve mjekësore dhe programeve të shëndetit publik.

/a.gjonaj//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.