Të drejtat e pronësisë industriale/ Memorandum bashkëpunimi institucional

TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale dhe Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve do të bashkëpunojnë për identifikimin e mekanizmave dhe modaliteteve të tjera të shpërndarjes së informacionit në lidhje me të drejtat e pronësisë industriale.

Memorandumi i bashkëpunimit u nënshkrua sot në Tiranë nga drejtoresha e DPPI, Ledina Beqiraj dhe kryetarja e Dhomës së Ndërmjetësve, Drita Avdyli.

“Objektivi kryesor i nënshkrimit të këtij dokumenti bashkëpunimi është identifikimi i mekanizmave dhe modaliteteve të tjera të shpërndarjes së informacionit në lidhje me të drejtat e pronësisë industriale, ku në bashkëpunim me ndërmjetësit, në Dhomën Kombëtare të Ndërmjetësve të përçohet informacioni i duhur për subjektet/bizneset dhe/ose përdorues të ndryshëm të pronësisë industrial”, thuhet në deklaratën e DPPI-së.

Po ashtu, mes palëve u ra dakord për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta, intershipe, praktika apo takime për dhënien e njohurive praktike mbi çështjet e pronësisë industriale, shkëmbimi i ndërsjellë i informacionit midis dy institucioneve do të jenë shtyllat kryesore të bashkëpunimit./a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.