SPANJË – Rajonet mbyllin territorin për shmangien e bllokimit të plotë antiCOVID-19

BARCELONË, 29 tetor /ATSH-AFP/- Njëri pas tjetrit, rajonet spanjolle po mbyllin territorin e tyre për të kufizuar përhapjen e virusit dhe, si rrjedhojë, të shmangin një bllokim të ri të përgjithësuar si në Francë.

Të dielën, qeveria e majtë e Pedro Sanchez dekretoi gjendjen e re të urgjencës shëndetësore, që bëri të mundur vendosjen e një shtetrrethimi nate në pothuajse tërë vendin dhe gjithashtu autorizon autoritetet rajonale, kompetente në çeshtjet e shëndetit, të rrethojnë territorin e tyre.

“Këto mbyllje janë mbrojtja e fundit para mbylljes së plotë. Nëse nuk mund ta frenojmë me të vërtetë rritjen e rasteve, do të duhet të marrim masa më të forta”, tha Daniel Lopez Codina, biofizikan në Universitetin Politeknik të Katalonjës, që po merret me evolucionin e epidemisë.

Shumica e 17 rajoneve të vendit kanë vendosur të përdorin këtë mekanizëm, duke ndaluar kështu që tre të katërtat e 47 milionë spanjollëve të largohen nga rajoni i tyre, përveçse për arsye shumë specifike, si për arsye shëndetësore ose për të shkuar në punë.

Në shumicën e rasteve, kjo masë pritet të zgjasë për dy javë./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.