Spahia: Trajtimi antiCovid është falas me ligj, SPAK të hetojë shkeljet e Ministrisë së Shëndetësisë

TIRANË, 29 tetor /ATSH – I. Vata/ Ish-deputeti i PD-së Bardh Spahia deklaroi sot se  trajtimi antiCovid është falas me ligj, ndaj SPAK duhet të hetojë atë që ai e cilësoi shkelje skandaloze të ligjit nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Propaganda sistematike e Edi Ramës dhe e ministres së tij militante të shëndetësisë, tregon se e kuptojnë fare mirë se çfarë po u bëjnë qytetarëve, pra çdo veprim në dëm të tyre e kanë me ndërgjegje. Braktisja e qytetarëve duke mos u ofruar trajtimin shëndetësor falas për Covid-19, përveçse çnjerëzore është shkelje ligjore dhe një shkelje që cenon shëndetin e jetën është vepër penale”, theksoi ai.

Spahia tha se ligji 15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive” detyron qeverinë, që çdo personi të dyshuar ose të konfirmuar me sëmundje infektive, sipas një liste të përcaktuar nga Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës Epidemike dhe Shërbimi Kombëtar i Kujdesit ndaj Sëmundjeve Infektive, të miratuar me urdhër nga ministri përgjegjës për shëndetësinë, t’i ofrohet shërbim shëndetësor i menjëhershëm dhe falas, pavarësisht nivelit të kujdesit shëndetësor.

Madje, sipas tij, i njëjti ligj detyron që shërbimi për trajtimin e një sëmundje infektive të ofrohet falas si në strukturat publike, ashtu edhe private.

“Nga protokolli i trajtimit, që mban firmën e zv.ministres së Shëndetësisë/kryetare e komitetit të ekspertëve për trajtimin e të sëmurëve me Covid, vetëm Azitromicina është në listën e rimbursimit. Por këtë medikament qeveria e rimburson pjesërisht: vetëm 6 kokrra (tablete) prej 250 mg. Pacientit covid i duhet azitromicinë 500 mg për të paktën nga 6-9 ditë, pra edhe sikur të merren dy kokrra nga 250 mg në ditë, duke rimbursuar vetëm 6 kokrra 250 mg, shteti praktikisht rimburson vetëm 3 ditë terapi me azitromicinë. Krejt e pamjaftueshme dhe tallëse, sidomos kur e njëjta zv.ministre që ka nënshkruar këtë protokoll deklaron se trajtimi antiCovid është falas dhe rimbursohet”, tha ai.

Po ashtu, sipas Spahisë, “asnjë nga barnat e tjera të parashikuara në protokollin e miratuar nga Ministria e Shëndetësisë nuk janë në listën e rimbursimit: as Levofloxacina, as Moxifloxacina, as shurupët e kollës, e madje as edhe tresoli! I vetmi nga barnat e përdorur për Covid, e që rimbursohet është kortizoniku, një preparat që kushton shumë lirë. Nga antikoagulantët në listën e rimbursimit është vetëm aspirina 100 mg dhe Xarelto, por për Xarelto ka kufizim strikt, sepse rimbursohet vetëm për të sëmurët kronikë me Fibrilacion Atrial”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.