Shpenzimet për paga në masën 5.5% të PBB-së/ Mbështetje politikës së re të rritjes së pagave për mjekët dhe mësuesit

TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Totali i shpenzimeve publike në projektbuxhetin për vitin 2021 është planifikuar 587.6 miliardë lekë ose 34.9% e PBB.

Sipas relacionit të projektbuxhetit për të cilin ka nisur diskutimi në komisionet parlamentare të Kuvendit, shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike janë planifikuar në masën 91.87 miliardë lekë ose 5.5% e PBB.

“Shpenzimet e personelit për vitin 2021, reflektojnë koston aktuale të administratës publike, si dhe politikën e re të rritjes së pagave për dy sektorët prioritarë shëndetësi dhe arsim”, thuhet në relacion.

Fondi vjetor për rritjen e pagave është planifikuar në shumën 8 miliardë lekë dhe parashikon rritjen e pagës për funksion me 40% për punonjësit shëndetësorë, me një vlerë prej 4.5 miliardë lekë dhe rritjen e pagës për funksion me 15% për punonjësit mësimor me një vlerë prej 3.5 miliardë lekë.

Në nenin 12 të projektligjit për buxhetin e vitit 2021, përcaktohet se numri i përgjithshëm i punonjësve në organikë është 83 702 veta./a.gjonaj/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.