Shërbimi Psiko-Social/ Ministrja Kushi: Dyfishimi i numrit të punonjësve vjen si përgjigje e nevojave në shkollat tona

TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi tha sot se, “së shpejti do të dyfishohet numri i punonjësve psiko-socialë në institucionet e arsimit parauniversitar”.

Në fjalën e saj në interpelancën e zhvilluar me grupin e interesit të përbërë nga psikologë dhe punonjës socialë, të interesuar për të qenë pjesë e shërbimit psiko-social në institucionet e arsimit parauniversitar, Kushi tha se “Ministria ka nxjerrë një urdhër për organizimin dhe funksionimin e shërbimit psiko-social në institucionet e arsimit parauniversitar, i cili sjell tri risi kryesore”.

“Risia e parë dhe lajmi i mirë është dyfishimi punonjësve psiko-socialë. Jam shumë e lumtur që nesër nuk do kemi një psikolog për tre ose katër  shkolla, por për një numër të vogël, për dy shkolla ose për një. Përmirësohet dhe qartësohet mënyra e rekrutimit, pezullimi apo emërimi në detyrë për punonjësit social. e jemi përqendruar në dy elementë kryesorë që janë transparenca dhe meritokracia”, – nënvizoi Kushi.

Ministrja u shpreh se”kemi vendosur disa procedura që fillojnë që nga konkurimi me dosje, më pas testimi me shkrim, intervistën e strukturuar që janë elementë që i shërbejnë përzgjedhjes së më të mirëve në këtë shërbim”.

“Risia tjetër është përmirësimi i përshkrimit të punës. Tashmë punonjësit psiko-social, por edhe drejtuesit apo koordinatorët e rrjetit do ta kenë më të qartë se çfarë të drejtash, kompetencash kanë në mënyrë që ky shërbim të jetë sa më cilësor dhe profesionist në shkollat tona”, – tha Kushi.

Miinistrja Kushi duke folur për shërbimin psiko-social në Shqipëri, tha se ky shërbim ka filluar në vitin 2004 , por në katër vitet e para ka qenë thjesht si shërbim pilot dhe përfshinte psikologët. Më pas në 2013 ndryshimet dhe përmirësimet në këtë këtë shërbim kanë ardhur duke u intensifikuar me ritme të shpejta”.

“Ndryshimet në aktet ligjore që u bënë e përmirësuan punën sidomos sa i takon vlerësimit të rasteve të nxënësve me problematika të ndryshme, apo hartimin e programeve të specifikuara”.

“Përveç përmirësimit të legjislacionit apo akteve ligjore shumë e rëndësishme është edhe rritja e vazhdueshme e numrit të punonjësve të shërbimit social dhe psikologëve. Kjo rritje e numrit ka ardhur si reflektim apo përgjigje e problematikave që janë konstatuar në mënyrë të vazhdueshme në shkollat tona, problematika që lidhen me dhunën, bullizmin apo me trafikimin apo nxënësit që kanë patur vështirësi në të nxënit etj. Së treti kemi edhe zhvillimin e vazhdueshëm professional, ne nuk jemi fokusuar vetëm tek trajnimi i mësuesve dhe rritjes së cilësisë së mësimdhënies, por jemi fokusuar tek trajnimi i punonjësve të shërbimit social. E kemi parë edhe këtë domosdoshmëri”, – tha Kushi.

“Në strategjinë e re per vitin 2021-2026 një nga prioritet tona kryesore është shërbimi psiko-social në shkolla. Do merren masa që këta punonjës të kenë dhoma të veçanta në shkolla, pajisjet e duhura në mënyrë që ky shërbim që i ofrohet nxënësve, por edhe mësuesve, të jetë sa më cilësor”, – tha Kushi.

/k.s//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.