Rindërtimi në Durrës/ Riparohen mjediset e përbashkëta të pallateve të dëmtuara më lehtë nga tërmeti


TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Durrës, ku po vijon puna për riparimin e mjediseve të përbashkëta e të muraturave të pallateve, me nivel dëmi DS1,DS2,DS3 të ndarë në 9 lote, financuar nga Qeveria Shqiptare.

Në takim me banorët e dëmtuar, Rama i siguroi ata se “ne po bëjmë maksimumin”. “Jo aq sa do të donim, sepse koha është mbreti, nuk ke ca i bën. Do puna kohën e vetë. E rëndësishme është se përsa i takon familjeve që janë në qytete, janë në shtëpi me qira. Edhe atë shumën që ju të bëni rregullimet e brendshme, ato që mund të bëhen e keni tani. Na është dashur një proces i tërë sepse ka qenë një hall shumë i madh me verifikime, dokumente, ankimime, riverifikime dhe pastaj me projekte. Tani të gjitha kompanitë janë në punë. Kemi dhe dy lote që do të bëhen, por janë 7 lote të mëdha për mjediset e përbashkëta. Rëndësi ka që Vitin e Ri do të jeni brenda”, iu drejtua Rama një banori.

Kryeministri theksoi se “këto janë dëme në muraturë, nuk janë dëme në strukturë”.

Ndërsa Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj u shpreh se “janë 372 objekte që po riparohen”.

Ndërsa kryetarja e bashkisë Durrës, Emirjana Sako theksoi se “me përfundimin punimeve, 23 mijë persona do t’i kthehen jetës normale”. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.