Rikonstruksioni i shkollës “Sami Frashëri”/ Tabaku: Për 6 muaj me radhë gërmadhat në oborr

TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka akuzuar kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, lidhur me rikonstruksionin e shkollës së mesme “Sami Frashëri”.

“Gjashtë muaj më parë, në prill të vitit 2020, Erion Veliaj, kur e gjithë Shqipëria ishte mbyllur nga pandemia prishi shkollën e mesme “Sami Frashëri”. Shkolla u shemb pa asnjë plan, u shemb kur nuk ekzistonte asnjë projekt. Për 6 muaj me radhë gërmadhat e shkollës “Sami Frashëri” ishin aty në oborr, ndërkohë që tenderat dështonin një nga një, Erion Veliaj gënjente publikisht për arsyet e shembjes të shkollës, ashtu siç gënjente publikisht dhe për fondet që do të përdoreshin për rikonstruksionin shkollën!” – tha Tabaku.

“Erion Veliaj gënjen. Kjo shkollë nuk ndërtohet nga fondet e Bashkimit Europian, por nga paratë e taksapaguesve të Tiranës dhe të Shqipërisë. Ky është një fakt që vërtetohet si nga dokumentet e Bashkimit Europian dhe të UNDP-së, por njëkohësisht dhe nga tabela që është shfaqur vetëm dje në hyrje të shkollës. Vlera e kësaj shkolle pritet që të jetë rreth 4.5 milionë euro, ndërkohë që shkollat e ngjashme me fondet e Bashkimit ndërtohen vetëm me 700 mijë euro. Sot, në nxitim e sipër Veliaj ka filluar që ta pastrojë vendin. Ka filluar që t’i heqë provat e krimit, por asgjë nuk e mbulon aferën korruptive që ndodhi në shkollën “Sami Frashëri”, – deklaroi Tabaku. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.