Rama thirrje naftëtarëve: Mos u gënjeni nga krokodilët që lotojnë për ju e duan t’ju përdorin kundër qeverisë

TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje sot naftëtarëve të Ballshit që të mos gënjehen nga krokodilët që lotojnë e duan t’i përdorin kundër qeverisë.

Në një reagim kreu i qeverisë i kërkoi sërish grave greviste në Ballsh të ndërpresin grevën.

“Mos u gënjeni! Qeveria është e juaja, por nuk mund të bisedojë me ju nën presion e me ultimatume! Grevat bëhen për t’u dëgjuar, jo për të marrë me zor atë që ke në mendje. Ne ju kemi dëgjuar e po ju presim juve”, – theksoi Rama.

Kryeministri u shpreh “të dashura motra greviste të Ballshit! Askush nuk ju kërkon të dorëzoheni, qeveria nuk është armiku, po aleati juaj dhe askush nuk ju ofron lëmoshë, ne jemi gati të qajmë hallin tuaj së bashku! E vetmja pengesë mes nesh është greva juaj. Mbyllni grevën dhe unë do jem aty menjëherë”.

“Nuk ju kam ftuar në asnjë negociatë, sepse nuk kemi asgjë për të negociuar, pasi qeveria as nuk e ka shkaktuar hallin tuaj, as nuk trashëgon mbi vete problemin e krijuar nga kompania private! Rafineria nuk është e shtetit. Ju lutem na jepni mundësinë t’ju ndihmojmë! Ideja se punonjësit e një kompanie private mund të bëjnë grevë kundër qeverisë për detyrimet e sipërmarrësit privat është e gabuar. Ju nuk e doni daljen në asistencë dhe e mirëkuptojmë, por jua përsëris, pa mbyllur grevën nuk jua qajmë dot hallin konkretisht përtej asistencës”, deklaroi Rama.

Deputetja Rudina Hajdari ka takuar sot naftëtarët e Ballshit të cilët i kërkuan asaj që të ngrejë zërin në Kuvend lidhur me çështjen e tyre.

“Është hera e dytë që vij në protestën dhe grevën e urisë së naftëtarëve. Kjo është një grevë e paralajmëruar. Shkaktari kryesor është qeverisja e keqe. Unë jam zëri juaj në parlament”, tha Hajdari.

/k.s//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.