Projektbuxheti 2021/ Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin pritet të rriten me mbi 19%

TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Në projektbuxhetin e vitit 2021, Ministria e Financave dhe Ekonomisë planifikon që të ardhurat nga tatimi mbi fitimin të rriten me 19.2% ose 5.3 miliardë lekë më shumë se viti 2020.

Sipas relacionit shoqërues të p/buxhetit, nga tatimi mbi fitimin pritet të arkëtohen 33 miliardë lekë.

“Rritja e parashikuar në tatimin mbi fitimin bazohet në rikuperimin e ekonomisë dhe rritjen e saj, çka do reflektohet edhe në deklaratat e tatimpaguesve. Po ashtu, në forcimin e kontrollit të deklaratave, bazuar në kriteret e riskut”, thuhet në relacion.

Për shkak të pandemisë së COVID-19, qeveria shqiptare ndërmori disa masa lehtësuese për biznesin. Një ndër masat ishte shtyrja e afatit të parapagimit të kësteve të tatimit mbi fitimin. Efekti negativ në buxhet i këtij vendimi llogaritet në rreth 19 milionë lekë.

Po ashtu, në korrik të këtij viti, Kuvendi miratoi lehtësi fiskale për të ndihmuar biznesin e vogël për një afat përtej vitit 2021.

Zerimi i tatim-fitimit për bizneset me qarkullim deri në 14 milionë lekë për një periudhë relativisht të gjatë kohe, deri në 8 vjet u bë për ti ardhur në ndihmë bizneseve të vogla, të cilat në këto 2-3 vitet e para do të kenë vështirësi për shkak të situatës së krijuar prej COVID-19. Një pjesë e këtij shpenzimi shkon për konsum apo për kursim, ndërsa në vitet e mëpasshme do të ndihmojë për vetpunësim./a.gjonaj//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.