Projektbuxheti 2021/ 3.7 miliardë lekë investime për ujitjen dhe kullimin

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Projektbuxheti i vitit 2021 adreson një fond prej 3.7 miliardë lekë investime për sektorin e ujitjes dhe kullimit në sektorin e bujqësisë.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka detajuar projektet konkrete ku do të investohet: 192 milionë lekë për rikonstruksionin e Argjinaturës së Selevecit, bashkia Vlorë.

Rehabilitimi i kanalit ujitës, krahu i djathtë rezervuari Gjanç në Korçë, me vlerë të plotë rreth 90 milionë lekë dhe financuar në dy vite 2021-2022.

Investime për mbrojtjen nga përmbytjet e lumit Drin në zonën e Bërdicës, fshati Rreth i Epërm, Shkodër. Vlera 95 milionë lekë.

Ndërsa projekti për mbrojtjen nga lumi Fan është thuajse në përfundim, me një vlerë të përafërt prej 86 milionë lekë.

Gjithashtu, vazhdon financimi i objekteve vaditëse të bashkive duke i përmbyllur investimet e nisura në vitin 2020.

Ndërkohë që Projekti i Burimeve Ujore dhe Ujitjes (financim BB), për përfundimin e rehabilitimit të skemave ujitëse, parashikon të përfundojë në muajin maj 2021.

Për finacimin e plotë të tij Ministria e Bujqësisë parashikon një shtesë financiare me rreth  385 milionë lekë financim i huaj dhe 205 milionë lekë financim i brendshëm. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.