Politika monetare lehtësuese në mbështetje të rritjes ekonomike

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Shqipëria ia ka dalë të shmangë kulmimin e shifrës së papunësisë dhe mbylljen në përmasa të konsiderueshme të bizneseve, pavarësisht vështirësive që ato hasën në kushtet e pandemisë, në sajë të një sërë masash e politikash mbështetëse që u  ndërmorën nga qeveria.

Kështu u shpreh sot zëvendësguvernatorja e parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, në konferencën virtuale vjetore të Bankës së Shqipërisë, ku theksoi se, “sistemi ynë financiar mbetet solid, me luhatje të ulëta në tregjet financiare, norma të ulëta interesi të kredidhënies, kurs këmbimi valutor të qëndrueshëm, si dhe një sektor bankar likuid dhe të mirëkapitalizuar”.

Minxhozi u shpreh se, “Banka e Shqipërisë beson se qëndrimi i përgjithshëm i politikës monetare duhet të mbetet lehtësues gjatë periudhës së ardhshme të parashikueshme”, duke lënë të kuptohet se nuk do të ketë rritja të normave të interesit për lekun, në mbështetje të rimëkëmbjes së ekonomisë”.

Sipas saj, “pandemia testoi qëndrueshmërinë e ekonomisë së Shqipërisë dhe të sistemit tonë bankar. Ajo shkaktoi tension të pamasë social dhe financiar tek individët dhe bizneset, dhe i detyroi autoritetet të vepronin shpejt për të administruar krizën shëndetësore dhe të ndërmerrnin nisma të mëdha të politikës për të kufizuar ndikimin e saj”.

“Banka e Shqipërisë ka përdorur një tërësi të gjerë politikash për të mbështetur veprimtarinë financiare dhe kërkesën agregate. Ne ulëm normën bazë të interesit në nivelin historik prej 0.5% dhe rritëm sasinë e likuiditetit të injektuar në sistem. Këto veprime patën për qëllim reduktimin e kostove të shërbimit të borxhit në të gjithë ekonominë dhe mbështetjen e ndërmjetësimit financiar të vazhdueshëm. Për më shumë, në konsultim të ngushtë me industrinë bankare, ne zbatuam lehtësira rregullatore të përkohshme të shënjestruara, hartimi i të cilave kishte për qëllim inkurajimin e shtyrjes së pagesës së kësteve të kredive apo ristrukturimin konsensual të tyre për huamarrësit në vështirësi, por me perspektivë të shëndetshme të veprimtarisë”, tha Minxhozi.

Nga ana fiskale, vijoi ajo, Qeveria e Shqipërisë ofroi lehtësi fiskale nëpërmjet: dhënies së fondeve shtesë në mbështetje të sektorit shëndetësor; zgjerimit të paketave sociale për të kompensuar humbjet e të ardhurave të individëve; lehtësimit të përkohshëm të taksave për bizneset dhe prezantimit të skemave të garancisë sovrane për kreditë për të përmirësuar aksesin e tyre në financim.

Minxhozi theksoi se, kjo tërësi masash të ndërmarra në kohën e duhur, të koordinuara dhe gjithëpërfshirëse, kishin për qëllim kontrollin e ndikimit të rënduar ekonomik dhe ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar, si parakusht për rimëkëmbjen e ardhshme të ekonomisë.

Zv/guvernatorja e parë e BSH-së Luljeta Minxhozi shprehu besimin se “ekonomia shqiptare zotëron parakushte të mjaftueshme për një rigjallërim gradual”.

Në këtë aktivitet, morën pjesë përfaqësues të lartë të bankave qendrore të rajonit, politikëbërës në fushën e ekonomisë dhe financave në vend, përfaqësues të organizmave ndërkombëtare e institucioneve financiare, të komunitetit të biznesit, si dhe përfaqësues nga bota akademike.

Kjo konferencë u organizua nën kujdesin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, i cili nuk e pati të mundur t’u bashkohej punimeve të saj, për shkak se rezultoi pozitiv pas testimit të kryer për COVID-19. Fatmirësisht, Guvernatori Sejko është në gjendje të mirë shëndetësore dhe ka filluar karantinimin e detyrueshëm. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.