“Pa u mbushur ende viti kemi nisur të kthejmë njerëzit në shtëpi të reja”/ Dëshmia nga Amatrice për ata që ankohen se është vonuar Rindërtimi

TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama përcolli sot një dëshmi aktuale nga Italia fqinje se sa ka ecur procesi i rindërtimit në Amatrice, rreth 4 vite pas tërmetit të 2016-ës.

Rama ndau kronikën e një televizioni italian, i cili sjell nga afër situatën aktuale në Amatrice.

“Një dëshmi aktuale nga Italia fqinje për ata që ankohen pse qenkemi vonuar me Rindërtimin(!), kur megjithë Covidin në mes që na bllokoi jo pak e kërkoi shumë sforco financiare, jemi në kantiere pas kantieresh pa u mbushur ende viti dhe kemi nisur të kthejmë njerëzit në shtëpi të reja”, tha Rama.

Kronika sjell pamje të Amatrices, 4 vite pas 24 gushtit 2016, kur një tërmet i dhunshëm tronditi Italinë Qendrore.

Amatrice u kthye në grumbull rrënojash ndërsa u regjistruan 299 viktima.

Televizioni italian sjell dëshmi të banorëve të cilët shprehen se 4 vjet më pas asgjë nuk ka ndryshuar.

Banorët shprehen të zemëruar, sepse nuk dinë asnjë gjë për rindërtimin e shtëpive. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.