Ndryshimet në Kodin Zgjedhor/ Shameti: Argumentet e Metës me karakter politik

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Adnor Shameti kërkoi sot rrëzimin e dekretit të Presidentit të Republikës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Duke folur në seancën plenare ku po diskutohet mbi dekretin e Presidentit të Republikës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor Shameti tha se, “argumentet e Presidentit nga pika 1 deri në pikën 12, janë argumente që nuk kanë lidhje me Kodin Zgjedhor, por opinione të Presidentit me karakter më së shumti politik për mënyrën se si Presidenti e percepton ose dëshiron ta perceptojë situatën politike dhe veprimtarinë e institucioneve në vend”.

Ai shtoi se, “Komisioni i Ligjeve ka detyrë të shqyrtojë vetëm argumentet e presidentit vetëm për çështjet që kanë të bëjnë me ndryshimet në Kodin Zgjedhor”.

“Argumentet në thelb i referohen më shumë mos dakordësisë së presidentit për ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut sesa ato të Kodit Zgjedhor të miratuara në Kuvend në 5 tetor 2020, ndryshime që reflektojnë ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut”, tha Shameti.

“Kushtetuta nuk e legjitimon Presidentin e Republikës të argumentojë apo kontestojë ndryshimet e saj. “Argumentet e Presidentit në dekretin e tij janë më së shumti një hartim mbi të drejtat dhe standardet në parim që nuk i përgjigjen situatave konkrete që rregullon ligji 118 i vitit 2020”, tha Shameti.

Duke iu përgjigjur argumentit të Presidentit se ligji përkeqëson pozitën e partive të vogla dhe shkakton diskriminim dhe ndryshimi i pragut elektoral sjell zhbalancimin e konvertimit të votave në mandate përfaqësuese në Kuvend, Shameti tha se, “nuk qëndron pasi pragu kombëtar është në përputhje me standardet e mira në zgjedhje dhe nuk shkakton diskriminim. Kushtetuta e parashikon pragun kombëtar në nenin 64 të saj. Nivelin e pragut Kushtetuta ia lë si detyrë ligjvënësit ta përcaktojë në ligjin zgjedhor”.

“Shtetet me prag ligjor ndryshojnë sipas përqindjes së zgjedhur. Për shtetet anëtare të Komisionit të Venecias diapazoni i pragut varion nga 0.67%, më i ulëti në Holandë deri në 10% që është më i larti në Turqi. Kështu disa ligje parashikojnë që një sasi e caktuar votash duhet të merren në nivel elektoral rajonal siç është Spanja dhe ku bazohet sistemi aktual shqiptar. Dhe të tjerat kërkojnë prag ligjor në rang kombëtar siç është Gjermania”, tha Shameti.

“Kushtetuta përcakton pragun kombëtar si element korrigjues të sistemit dhe nivelin e tij ia ngarkon Kuvendit ta caktojë përmes ligjit zgjedhor siç dhe ne kemi bërë”, u shpreh Shameti.

Shameti shtoi se, “argumenti i Presidentit në lidhje me cënimin e parimit të sigurisë juridike dhe jurisprudencës  së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë nuk qëndron pasi Presidenti në këtë argument i ka bërë referim Komisionit të Venecias dhe konkretisht Kodit të Praktikave të Mira në Çështjet Zgjedhore i vitit 2002 ku sqarohet se elementet thelbësorë të së drejtës zgjedhore dhe në veçanti sistemit zgjedhur, përbërjes së komisioneve elektorale dhe hartimin e kufijve të zonave zgjedhore nuk duhet të ndryshohen më pak se një vit përpara zgjedhjeve ose duhet të shkruhen në Kushtetutë ose në dokument ligjor të një niveli më të lartë se legjislacioni i zakonshëm”.

Në lidhje me këtë pretendim Shameti sqaroi se, “në radhë të parë e gjithë veprimtaria e Kuvendit si me miratimin e ndryshimeve kushtetuese ashtu dhe në miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor ka qenë në përputhje në frymë dhe në germë me Kodin e Praktikave të Mira dhe përvojën më të mirë të Opinioneve të Komisionit të Venecias apo vendime të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut”.

Shameti tha se, “të gjithë këto elementë thelbësorë që parashikohen në këtë dokument nuk janë cënuar në radhë të parë me ndryshimet që kemi bërë qoftë në Kushtetutë, qoftë në Kodin Zgjedhor nga njëra anë dhe nga ana tjetër, dua të theksoj që si Kushtetuta ashtu dhe Kodi Zgjedhor janë dy ligje të miratuara me shumicë të dukshme në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë ku Kodi Zgjedhor jemi në dijeni që është miratuar me 97 vota pra me një shumicë kushtetuese edhe pse formalisht është ligj organik. Në këtë kuptim nuk është cënuar asnjë prej elementeve që Kodi i Praktikave të Mira të Komisionit të Venecias ka parashtruar dhe si i tillë argumenti i Presidentit nuk qëndron”.

“Argumenti tjetër i Presidentit mbi pengimin e koalicioneve parazgjedhore duke imponuar listën shumëemërore të përbashkët dhe deformimi i votës nuk qëndron pasi Kushtetuta parashikon të drejtën e paraqitjes së kandidatëve për deputetë nga subjektet zgjedhore, nga partitë politike dhe nga zgjedhësit që është parashikuar në nenin 68 të saj. Kushtetuta nuk ndalon paraqitjen e kandidatëve për deputetë nga disa parti politike në një listë”, tha Shameti.

“Ky është një argument që para ndryshimeve kushtetuese u ngrit më së shumti nga partitë jashtë parlamentare, u elaborua dhe në Këshillin Politik dhe në përfundim rezultoi që ishte një pretendim i pabazuar”, tha ai. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.