Ndryshimet në Kodin Zgjedhor/ Kuvendi rrëzon me 97 vota dekretin e Presidentit

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Kuvendi rrëzoi sot me 97 vota kundër, 13 pro dhe 1 abstenim dekretin e Presidentit Ilir Meta i cili ktheu për rishqyrtim ndryshimet në Kodin Zgjedhor të miratuara në seancën parlamentare të 5 tetorit.

Amendamentet të cilat vijnë si kompromis i mazhorancës dhe një pjese të opozitës parlamentare reflektojnë në ligjin elektoral ndryshimet kushtetuese të miratuara më 30 korrik dhe konsiderohen si masa shtesë përtej dakordësisë së arritur në marrëveshjen politike të 5 qershorit.

Përmes tyre përcaktohet detyrimi i subjekteve zgjedhore që në përputhje me përcaktimet kushtetuese të hapin 100% listat e kandidatëve për deputetë. Kjo skemë i mundëson çdo qytetari që të ketë të drejtën të japë dy vota, një për subjektin politik dhe një tjetër nominale për kandidatin e parapëlqyer të subjektit nga lista shumëemërore e zonës zgjedhore përkatëse.

Ligji zgjedhor përcakton gjithashtu modalitetet e mënyrës se si hidhen votat parapëlqyese, numërimi i tyre, tabulimi i rezultateve dhe shpërndarja e mandateve brenda listës së subjektit zgjedhor përkatës.

Skema garanton: së pari, konkurrencë brenda pjesës së parë të listës pasi ai që merr më pak vota rrezikohet të humbasë mandatin; së dyti, konkurrencë brenda pjesës së dytë të listës pasi edhe kandidati i fundit mund të fitojë praktikisht mandat; dhe së treti, konkurrencë votash edhe midis pjesës së parë të listës dhe asaj të dytë.

Është vota preferenciale e zgjedhësve ajo e cila i krijon mundësinë secilit kandidat për ta fituar mandatin e deputetit, pavarësisht nga opozicioni i zënë në rreshtimin fillestar nga subjekti zgjedhor.

Kodi Zgjedhor parashikon koalicionin si një subjekt zgjedhor që konkurron në zgjedhje në formën e një grupimi subjektesh politike. Partia politike ose koalicioni zgjedhor që është regjistruar në KQZ si subjekt për zgjedhjet në Kuvend depoziton listën shumëemërore të kandidatëve për çdo zonë zgjedhore. Koalicioni deklaron partinë politike udhëheqëse.

Modalitetet e kompozimit të fletës së votimit, përfshirja e logove të partive, emrave apo numrave të kandidatëve, i lihen në dorë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në varësi dhe të numrit të subjekteve politike që do të regjistrohen si garuese.

Formula e kompromisit midis mazhorancës dhe opozitës parlamentare mundësoi pranimin e kërkesës së pakicës për uljen e pragut zgjedhor nga 3 në 1% ashtu sikurse dhënien e mundësisë së kryetarit të partisë garuese apo partisë udhëheqëse të koalicionit kur ato garojnë në grup që të konkurrojë deri në 4 zona zgjedhore. Këto dy masa konsiderohen si të rëndësishme në synimin për të rritur përfaqësimin në Parlament të partive të ashtuquajtura të vogla apo subjekteve që garojnë rishtazi.

Kodi garanton që edhe në kushtet e listave të hapura 100%, vet listat e kandidatëve por edhe konfigurimi i ardhshëm i parlamentit të ketë minimum 30% nga gjinia më pak e përfaqësuar, gra ose vajza. Në përputhje me marrëveshjen politike të 5 qershorit mes mazhorancës, opozitës parlamentare dhe asaj jashtëparlamentare u miratua në 23 korrik Kodi i ri Zgjedhor.

Rrëzimi i dekretit të Presidentit Ilir Meta i hap rrugën tanimë hyrjes në fuqi të ndryshimeve të fundit në Kod dhe krijon bazën e nevojshme ligjore për institucionet përkatëse që të përgatisin pa vonesa procesin zgjedhor të 25 prillit.

Ndërsa votohej në Kuvend, reagoi presidenti Meta. “Asnjë surprizë nga Kuvendi njëpartiak i inceneratorëve dhe mbetjeve”,  u shpreh ai.

Po në seancën e sotme, Kuvendi miratoi me 108 vota pro, 5 kundër dhe 1 abstenim Aktin Normativ me fuqinë e ligjit “Për faljen e masave administrative me karakter ndëshkues të vendosura gjatë periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19 dhe familjeve të dëmtuara nga fatkeqësitë natyrore”.

Kuvendi miratoi me 92 vota pro, 15 kundër dhe 4 abstenime projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për Policinë e Shtetit” të ndryshuar””.

Kuvendi miratoi me 102 vota pro, 1 kundër dhe 7 abstenime projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së angazhimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe Aleancës GA VI, për pjesëmarrjen në strukturën globale të qasjes në vaksinat COVID-19 (Covax Facility)”.

Kuvendi miratoi me 94 vota pro, 12 kundër dhe 6 abstenime projektvendimin “Për miratimin e strukturës, organikës dhe kategorizimit të pozicioneve të punës të Komisionit të Prokurimit Publik (KPP)”.

Kuvendi miratoi me 99 vota pro, 6 kundër dhe 3 abstenim Projektvendimin “Për miratimin e kalendarit të shqyrtimit të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2021” në komisionet e përhershme parlamentare dhe seancë plenare”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.