Mbështetja për bletarinë me fonde publike/ 1 458 fermerë të financuar me një total prej 163 milionë lekë

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Mbështetja për bletarinë me fonde publike është shumëfishuar ndjeshëm në 7 vitet e fundit.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, ka publikuar statistikat zyrtare, ku rezulton se, numri i bletarëve që kanë përfituar subvencione në vitin 2020 është rritur në 1 458 fermerë kundrejt 275 bletarëve përfitues që shënohen në vitin 2013.

Në këto vite qeveria ka rritur fondet publike në mbështetje të këtij sektor në shumën e 163 milionë lekëve në vitin 2020 kundrejt totalit 19.2 milionë lekë që ishte në vitin 2013.

“Shihni sa fermerë që merren me bletari ishin mbështetur me subvencione në vitin 2013 dhe sa janë sot. Sa ishte fondi asokohe për bletarinë dhe sa është sot në vitin 2020. Ndryshimi është si nata me ditën. 98% e bletarëve që aplikuan këtë vit në portalin e Albania kanë përfituar subvencionet”, shprehet Çuçi.

Çuçi thotë se, “do të shtojmë mbështetjen për këtë sektor kaq shumë të rëndësishëm jo vetëm për ekonominë në zonat rurale, por edhe për vetë jetën në tokë”.

Shtrirja e këtij sektori në shkallë vendi rezulton:

Brenda qarkut të Vlorës ka rreth 399 fermerë të regjistruar me mbi 50 koshere, ndjekur nga Elbasani me 226 dhe nga Kukësi me 224 fermerë të së njëjtës kategori.
Edhe këtë viti, AZHBR implementojë masën mbështetëse për bletarinë, për koshere të regjistruara.
Masa e 2 e Skemës Kombëtare financon mbarështim të bletarisë me 1000 (një mijë) lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 (pesëdhjetë) zgjoje, por jo më shumë se 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë për subjekt.
Biznesi i bletarisë dhe prodhimit të mjaltit e nënprodukteve të tij në Shqipëri po shënon rritje nga viti në vit.
Një zhvillim tjetër pozitiv për sektorin e bletarisë në vend është hapja e eksportit me Kinën. Bletarët e shohin këtë si një mundësi të madhe që duhet të shoqërohet gjithashtu edhe me rritjen e prodhimit vendas.
Mjalti është një ushqim i rëndësishëm ai nga përmban të gjitha amino acidet kryesore dhe vitaminat B, C, D dhe E, duke na dhënë të gjitha vlerat ushqyese për të cilat trupi ynë ka nevojë. /a.a//r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.