Kuvendi i dha udhë ndryshimeve në Kodin Zgjedhor/ Balla: Zgjedhja e duhur për të mos e futur vendin në spirale të rrezikshme

TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi në një prononcim për mediet, se “Kuvendi i Shqipërisë në një ushtrim korrekt të detyrimeve dhe të drejtës që ka, sot i ka dhënë udhë ndryshimeve në Kodin Zgjedhor”.

“Shqipëria ka një Kushtetutë, që i ka dhënë mundësinë qytetarëve që në zgjedhjet e 25 prillit të votojnë jo vetëm për subjektin, por edhe për kandidatin në secilën prej listave. Në këtë këndvështrim, Kuvendi bëri zgjedhjen e duhur dhe të vetme, për të mos e futur vendin në një spirale të rrezikshme apo në një situatë kaosi ligjor. Mungesa e transpozimit të ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor do krijonte një situatë të paqartë juridike lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 25 prillit”, tha ai.

Balla theksoi se “që nga ky moment, institucionet përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve, duke nisur nga Komisioneri dhe gjithë organizmat e tjerë, kanë Kodin e ri Zgjedhor për ta implementuar dhe garantuar zgjedhje të ndershme dhe demokratike më 25 prill”.

Po ashtu, Balla tha se “ne gjithmonë si maxhorancë e kemi mirëpritur dhe e mirëpresim çdo lloj rekomandimi apo opinioni që vjen nga Komisioni i Venecias. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe në rastin në fjalë, edhe pse “Venecia” ishte shumë e qartë në përgjigjen që ktheu. Nuk ishte ky rasti për një opinion urgjent. Dua t’i them çdo qytetari shqiptar se Shqipëria nuk ka bërë një shpikje “alla shqiptarçe”, për sa i përket Kodit Zgjedhor. Kemi marrë modelet më të mira në Europë për listat e hapura. Ndër to do të vlerësoja modelin kroat, çek, austriak, holandez apo suedez. Ky model ka një ndërthurje mes listës së propozuar nga partia dhe mundësisë që çdo kandidat merr, për ta thyer renditjen dhe për të hyrë në listën fituese”.

“Besoj se Presidenti i Republikës ka marrë një përgjigje të qartë nga Kuvendi i Shqipërisë. E ftoj të heqë dorë nga etiketimet e panevojshme në kurriz të Kuvendi. Përpjekja e tij për të identifikuar Kuvendin si një Kuvend jolegjitim, nuk qëndron. Duke qenë se një pjesë e medieve tuaja kanë transmetuar gjatë ditës së sotme pamje të Presidentit të Republikës, në një gjendje jo normale, në prani të individëve me të shkuar kriminale, i bëj thirrje Presidentit të heqë dorë nga këto lloj prezencash. Në kushtet që kemi pasur përsëri një aksident të rëndë, në një nga galeritë e minierave në zonën e Dibrës dhe Bulqizës, i bëj thirrje Presidentit të mos gjendet në prani të këtyre personave, të cilët shfrytëzojnë minierat në atë zonë”, vijoi ai. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.