Kodi Zgjedhor/ Manja: Kuvendi detyrim kushtetues të reflektonte ndryshimet, është caktuar data e zgjedhjeve

TIRANË, 29 tetor /ATSH – I. Vata/ Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja tha sot se ndryshimet kushtetuese janë bërë në një parlament legjitim dhe ato nuk prekin marrëveshjen e 5 qershorit.

I pyetur në një studio televizive për votimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, Manja theksoi se “ndryshimet e Kodit Zgjedhor janë detyrë e këtij Kuvendi për të transfuzuar ndryshimet kushtetuese”.

“Bashkimi Europian dhe SHBA janë shprehur dhe kanë thënë qartazi se ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut vërtet u bënë  jashtë tryezës së Këshillit Politik pa dakordësi politike por nuk e prekin marrëveshjen e 5 qershorit. Tani qartazi është thënë dhe tjetra se ndryshimet kushtetuese janë bërë në një parlament legjitim dhe është e drejta sovrane e këtij parlamenti për të bërë këto ndryshime kushtetuese. Aq më tepër që edhe Presidenti Meta në arsyetimin e dekretit që ktheu për votim në parlament ndryshimet kushtetuese në Kodin Zgjedhor në shumicën dërmuese ishte marrë me ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut jo me Kodin Zgjedhor”, theksoi ai.

Manja u shpreh se ndryshimet e Kodit zgjedhor dhe ndryshimet kushtetuese nuk janë kusht për tryezën e parë të negociatave për integrimin në BE.

“Kjo, sepse pragu zgjedhor, dhënia e votës parapëlqyese dhe formatimi i koalicioneve zgjedhore sipas standardeve më të mira evropiane dhe vendeve më të  përparuara të BE-së, nuk mund të jetë kusht sepse në një demokraci funksionale institucionet kushtetuese i kanë të ndara detyra. Kuvendi i Shqipërisë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese  e kishte detyrim kushtetues të reflektonte këto ndryshime në Kodin Zgjedhor, sepse  presidenti i Republikës ka caktuar datën e zgjedhjeve që është 25 prilli 2021 dhe nuk ka gjë më sublime në një demokraci funksionale kushtetuese se garantimi i procesit zgjedhor. Kjo ishte arsyeja pse u bënë këto ndryshime”, theksoi Manja.

Manja tha se nuk ka si të tronditet një deputet austriak apo kroat kur Shqipëria ka adoptuar pothuajse modelin kroat dhe austriak në Kodin Zgjedhor, duke iu referuar reagimeve të disa eurodeputetëve një ditë më parë.

“Çështja e pragut, e koalicioneve parazgjedhore sipas Kodit të Praktikave të Mira sipas Çështjeve Zgjedhore të Venecias apo të  deklaratës së Kopenhagenit nuk janë element themelor i të drejtës zgjedhore. Element themelor i së drejtës zgjedhore janë sistemi zgjedhor, janë zonat zgjedhore dhe administrimi i procesit zgjedhor. Asnjëri nga këta tre  elemente nuk është prekur, as me ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut as me ndryshimet në Kodin Zgjedhor”, tha ai. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.