“Kërkesa e Presidentit në Venecia, e qëllimshme dhe e rrezikshme/ Gjiknuri: Nëse do të prisnim opinionin, pa Kod Zgjedhor deri shkurtin e ardhshëm

Tirane.30.06.219.- Qytetarët ne qender votimi gjate votimit për zgjedhjet lokale. ATSH foto Florian Abazi

TIRANË, 29 tetor/ATSH-Maela Marini/ Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri deklaroi sot në mbrëmje se “nëse Partia Socialiste do të priste opinionin e ‘Venecias’, nuk do të kishim një Kod Zgjedhor deri në janar ose shkurt dhe vendi do të hynte në krizë kushtetuese dhe politike”.

I ftuar në një studio televizive, Gjiknuri tha se “kjo ishte një lojë shumë e rrezikshme e PD-së, për të mos lejuar hyrjen në fuqi të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor”.

“Shqipëria kurrë nuk do të duhej të shkonte në krizë. Do të shkohej në qeveri teknike dhe në marrëveshje mbarëpolitike e do të ishte një marrëveshje e stimuluar, me ato kushte që ka vënë gjithmonë PD dhe LSI. Nëse do të hapeshin këta spirale të tilla, kriza do të ishte e madhe”, tha Gjiknuri.

Sipas tij, “kërkesa nga ana e Presidentit në ‘Venecia’ ishte e qëllimshme dhe e rrezikshme”. “E gjitha është politike, aktorët politikë lëvizin sipas interesave të veta politike”, tha Gjiknuri.

“Ne nuk kemi bërë asnjë gabim, se nuk jemi aq të trashë, që nesër të linim litarin dhe të kishim gabime për ligjin zgjedhor. Ne duam që ai ligj të jetë në përputhje, sepse ai ligj nesër ose pasnesër mund t’i nënshtrohet edhe verifikimit kushtetues”, tha ai. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.