Kërkesa e Metës për Kodin Zgjedhor/ Hyseni: Kur ka shkelje të parimeve, Venecia i shqyrton me procedurë të përshpejtuar

TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni, deklaroi sot në mbrëmje se “rekomandimet e Venecias nuk mund të aplikohen në këto zgjedhje, por sugjerimet e tyre do të merren në shqyrtim për zgjedhjet e tjera”.

I ftuar në një studio televizive, Hyseni tha se “kur ka gjëra esenciale dhe gjëra që duken qartë se kanë shkelje të parimeve apo rëndësi të veçantë, “Venecia” i shqyrton me procedurë të përshpejtuar”.

“Venecia e ka detyrim, sepse ajo për çdo kërkesë që i bëhet e merr në konsideratë dhe e shqyrton. Nuk është e para herë, i ka bërë parlamenti kërkesë, i ka bërë Presidenti. Venecia i ka marrë në shqyrtim. Ndryshimi është se kur ka gjëra esenciale dhe gjëra që duken qartë se kanë shkelje të parimeve apo rëndësi të veçantë, “Venecia” i shqyrton me procedurë të përshpejtuar. Fakti që Venecia as nuk e mori në konsideratë, kjo tregon se nuk ka shkelje të parimeve të rëndësishme. Ne nga ana tjetër e presim çdo rekomandim të “Venecias””, tha ai.

Hyseni tha se “nuk ka shkelje kushtetuese, por nëse Venecia jep sugjerime për fusha të caktuara do të aktivizojmë mekanizmin e diskutimeve. Është një çështje debati publik dhe sipas procedurave parlamentare kur të përmbushen afatet dhe kur të vijë koha, por jo për zgjedhjet e radhës sepse është e pamundur për t’u aplikuar çdo gjë, mund të bëjmë përmirësimet e duhura”.

Hyseni shtoi se “ne jemi të parët të pakënaqur me këtë Kod, por kaq hapësirë na u la nga marrëveshja e 5 qershorit, dhe ne kemi bërë maksimumin e mundshëm për të mos cenuar marrëveshjen”.

“Po të ishte në dorën tonë Kodi do të ishte shumë më radikal, të 33 rekomandimet e OSBE/ODIHR-it do të ishin të përmbledhura aty, por nuk na lanë këta që sot çuditërisht flasin në emër të ODIHR-it. Opozita e rrugës ishte ajo që vuri barrierën në 5 qershor dhe nuk na lejuan të ndryshojmë Kodin duke marrë në konsideratë të gjitha rekomandimet. Nëse ne nuk do ta bënim tani Kodin, ne do rrezikonim seriozisht zgjedhjet”, tha ai. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.