Kaso: Ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor nuk i shërbejnë Shqipërisë në rrugën e integrimit

TIRANË, 29 tetor /ATSH – I. Vata/ – Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, Ivi Kaso u shpreh sot se opinioni i Komisionit të Venecias në lidhje me ndryshimet e Kodit Zgjedhor, ka vlerën që ka mbartur, sipas tij, “sa herë që kemi patur ndryshime në legjislacionin zgjedhor të paktën këto dy dekadat e fundit qofshin kur këto ndryshime kanë qenë konsensuale”.

“Ka qenë gjithmonë opinioni i përbashkët i Venecias dhe ODIHR që ka vënë vulën përfundimtare në kornizën ligjore të zgjedhjeve duke i certifikuar këtë kornizë ligjore me standarde ndërkombëtare. Ishte pikërisht ajo që pritej edhe me këto ndryshime të njëanshme dhe të imponuara me forcën e kartonit, që të paktën arbitri i gjithëpranuar ndërkombëtar të shprehej dhe të certifikonte nëse këto ndryshime e përqasin legjislacionin tonë zgjedhor me standarde ndërkombëtare ose jo”, u shpreh Kaso.

“Qartazi kemi një qëndrim refraktar të mazhorancës dhe personalisht të kryeministrit Edi Rama që ashtu si bëri ndryshimet kushtetuese të njëanshme thjesht dhe vetëm për llogari elektorale të partisë në pushtet, po me forcën e kartonit imponoi ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor duke shpërfillur jo vetëm thirrjen e opozitës dhe të Presidentit të vendit por edhe të BE-së. Ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor nuk i shërbejnë askujt, aq më pak Shqipërisë në rrugën e integrimit por thjesht interesave të tij në fushatë elektorale duke shpresuar se me këto truke e marifete zgjedhore të përmirësojë sadopak rezultatin në zgjedhjet e ardhshme të 25 prillit”, tha ai.

Në lidhje me krijimin e partive të reja dhe qëndrimin e PD-së, Kaso iu referua qëndrimit të kryetarit Basha.  “Ka patur një qëndrim të kryetarit të PD-së Basha në lidhje me subjektet e reja që krijohen me bekimin e mazhorancës në pushtet për një diversion të pastër elektoral për të ndarë votën opozitare në kalkulimet e tij të vogla. Por këto janë diversione që bëjnë pjesë në atë skemë të madhe të manipulimit në tavolinë të vullnetit të shqiptarëve”, tha Kaso. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.