“Kapacitete të shtuara për përballimin e COVID”/ Rakacolli: 15-20 shtrime në ditë, zbatim i masave për të shmangur skenarë jo të këndshëm

TIRANË, 29 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryetarja e Komitetit Teknik të ekspertëve që drejton menaxhimin e pandemisë, Mira Rakacolli tha sot se “akoma e kemi në dorë që nëse zbatojmë masat të mos shkojmë në skenarë jo të këndshëm”.

E ftuar në një studio televizive, Rakacolli foli mbi situatën e krijuar nga koronavirusi në Shqipëri.

Duke folur për kapacitetet spitalore, Rakacolli tha se “ne jemi përgatitur mirë gjatë kohës së verës, në asnjë minutë nuk kemi pushuar por ka vazhduar puna dhe janë ngritur kapacitetet spitalore dhe njerëzore”.

“Vetëm brenda në Tiranë ne kemi në dispozicion 550 shtretër të dedikuar. Tani ka akoma vende të lira edhe në spitalet aktuale. Çdo ditë, gjatë dy javëve të fundit në secilin prej dy spitaleve COVID, ka pasur ndërmjet 15-20 shtrimeve. Nëse nuk do të kishim pasur njerëz të shëruar ne do të ishim mbushur”, tha ajo.

Rakacolli theksoi po ashtu se “niveli i vdekshmërisë nga COVID në rajon është më i lartë se te ne”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.