Elbasan/ Kryemadhi: Rama ka frikë nga të rinjtë

TIRANË, 29 tetor /ATSH – I. Vata/ Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi në një takim me të rinjtë në Elbasan u shpreh se forca e LSI janë të rinjtë.

Në një takim ku u bënë anëtarësime të reja në Elbasan, Kryemadhi tha se LSI është partia që u jep shansin të rinjve.

Ndërkaq, ajo tha se kryeministri Edi Rama “nuk e ka frikën me ne, por me ju, sepse ka 8 vjet që ka gënjyer”.

“Ai ka frikë nga inceneratori i Elbasanit se në vend që të hapte vende pune, ai hapi një gropë plehrash. Ai ka frikë nga bizneset e Elbasanit të cilat mbyllen çdo ditë. Ai ka frikë nga gratë naftëtare në Ballsh që u ka vjedhur pagën e 12 muajve, ka frikë nga mjekët, infermierët, mësuesit, por mbi të gjitha ka frikë nga ju, sepse më 25 prill vota do ta dërrmojë”, tha ajo.

Vota juaj, tha Kryemadhi, do të jetë një votë e cila do ta dërmojë jo atë si Edi Ramë, por fenomenin Edi Rama që merr peng të ardhmen e të rinjve dhe të rejave”.

“Elbasani është qytet universitar dhe sot dëgjojmë se mësimi do të bëhet online. Po si mund të studiojë një student i vitit të parë apo i vitit të dytë për biokimi, mjekësi apo kimi sepse mësimin e marrin nëpërmjet laboratorit. Universiteti nuk është rrjet social por mësimdhënie, është kurajo sepse është pedagogu që iu jep kurajo studentëve të përballen me jetën”, tha Kryemadhi.

“E, pra izolimi që u bëhet të rinjve shqiptarë çdo ditë e më shumë bëhet mbytës”, tha ajo.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.