COVID-19 – Suedia shënon rekord rastesh ditore, shton rekomandimet

STOKHOLM, 29 tetor /ATSH-DPA/ – Rastet ditore të COVID-19 në Suedi shënuan rekord të ri sot, ndërsa disa rajone i rekomanduan banorët të shmangin transportin publik dhe ngjarjet shoqërore për të ngadalësuar transmetimin e virusit.

Agjencia suedeze e Shëndetit Publik tha se 3 254 raste u konfirmuan në 24 orët e fundit, një rekord i ri që nga fillimi i pandemisë.

“Deri më tani, Suedia ka patur një rritje mjaft të ngadaltë të infektimeve, krahasuar me shumicën e vendeve të tjera”, tha kryepidemiologu suedez, Anders Tegnell, në një konferencë shtypi.

Sidoqoftë, disa rajone, përfshirë zonat më të populluara të qyteteve kryesore, Stokholm dhe Goteborg, i rekomanduan banorët të përmbahen nga vizitat në qendrat tregtare, muzeumet, bibliotekat, pishinat dhe qendrat e fitnesit deri më 18 nëntor.

Rekomandimi tjetër ishte shmangia e takimeve me persona të tjerë jashtë shtëpisë së tyre, si edhe puna nga shtëpia, kur është e mundur./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.