COVID-19/ Manastirliu: Do të përfshijmë testet e shpejta, pandemia të mos përdoret për politikë

TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës saj në Parlament tha se testimet janë katërfishuar dhe së shpejti do të përdoret dhe testimi i shpejtë, sipas strategjisë së vjeshtë-dimrit.

“Ne thamë dhe i qëndrojmë deri në fund që me shtimin e rasteve pas hapjes, strategjia e vjeshtë-dimrit përfshin rritjen e numrit të testimeve, kjo ndodhi, nga qershori deri më sot është katërfishuar numri i testeve, po përgatitemi për të rritur testimet edhe duke përfshirë testimin e shpejtë, testin e antigenit siç quhet ndryshe”, tha Manastirliu gjatë fjalës saj në Kuvend ku po diskutohet për Aktin Normativ dhe ndryshimet e reja që do të miratohen.

Duke theksuar se janë marrë masat edhe sa i takoj burimeve njerëzore, Ministrja e Shëndetësisë tha se shumë se 150 punonjës janë përfshirë në sistemin shëndetësor për të mbështetur stafet aktuale dhe për të përgatitur stafe për të shërbyer në strukturat që do të hapim, COVID 3 dhe COVID 4.

Gjatë fjalës saj, Manastirliu ka dhënë një përgjigje për opozitën duke theksuar se pasi u zgjuan nga gjumi tani po bëjnë pingpong politik me pandeminë, ndërkohë që stafet mjekësore kanë 8 muaj që rrezikojnë jetën në shërbim të qytetarëve.

“Këtu në Shqipërinë tonë të vogël pandemia po përdoret politikisht. Madje është përdorur pa ardhur ende rasti i parë në Shqipëri. Jo futboll, por pingpong politik e kanë bërë ata që e luajnë në ato tavolinat e vogla të selive. Ndërkohë që mjekë, infermierë shërbime mbështetëse, struktura të urgjencës kombëtare, të gjithë stafet tona mjekësore kanë 8 muaj që rrezikojnë jetën në shërbim të njerëzve e këta të ngeshmit urdhërojnë të që zbatojmë 4 pikat e planit me 5 pika”, replikoi Manastirliu me opozitën.

Manastirliu nuk la pa ndarë lajmin e mirë të vlerësimit të Shqipërisë nga revista prestigjioze “The Lancet” e cila vlerësuar vendin tonë me 70 pikë nga 100 të mundshmet duke lënë pas në renditje vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Shqipëria ka marrë 70 pikë, njësoj si Rumania pra vende të Europës dhe më shumë se vendet e Ballkanit Perëndimor. Indikatorët për të cilat sistemi shëndetësor shqiptar ka shënuar pikët më të larta janë përsa i përket trajtimit të tumorit të gjirit, të tumorit çervikal dhe uterin, trajtimit të sëmundjeve lidhur me diabetin, të tuberkulozit, trajtimit të sëmundjeve pulmonare, për sa i përket kujdesit perinatal të nënës dhe të lindjes dhe pas lindjes së fëmijës si dhe mbulimin vaksinal. Të gjitha këto janë vlerësime të rëndësishme që ne marrim jo nga studime të bëra nga organizata të pacertifikuara, jo nga grafikë të bërë me matematikë të gabuar, por nga revista prestigjioze”, tha Manastirliu./k.s//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.