BRITANI E MADHE – ICL: Pandemia në fazën kritike në Angli

LONDËR, 29 tetor /ATSH-AA/ – Pandemia e COVID-19 ka arritur një fazë kritike në Angli, me 96 000 infektime të reja ditore, ndërsa ato dyfishohen çdo nëntë ditë, sipas të dhënave sot nga Imperial College London (ICL).

“Kufizimet aktuale nuk po funksionojnë dhe duhen masa më të rrepta në shkallë kombëtare, para se të jetë shumë vonë”, paralajmëroi ICL.

“Ne po shohim një normë në rritje të virusit në të gjitha rajonet. Çfarëdo që po ndodh, qoftë sjellja e publikut apo zbatimi i politikës aktuale, nuk ka qenë të mjaftueshme për të zmbrapsur këtë shkallë rritjeje”, tha Paul Elliott, një nga studiuesit kryesorë të studimit.

Sekretari i Shëndetësisë Matt Hancock njoftoi se 16 zona të tjera në Angli do të kalojnë në kufizimet e nivelit të dytë më të lartë, duke filluar nga e shtuna.

Britania e Madhe njoftoi 23 065 raste të reja ditore dhe 280 vdekje shtesë nga COVID-19./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.