Bozdo: Zgjidhja për rafinerinë e Ballshit është ajo që ofron Basha, 8 milionë euro paga

TIRANË, 29 tetor /ATSH – I. Vata/ Sekretari Organizativ i Partisë Demokratike Eno Bozdo, ka reaguar sot në lidhje me punëtorë e rafinerisë së Ballshit dhe i kërkon kryeministrit Rama të zgjidhë problemin e tyre me pagat e prapambetura.

Bozdo shprehet se rafineria e Ballshit është sot e mbyllur dhe punonjësit në mjerim pa paga.

“Meqënëse Edi Rama më përmendi sot emrin. Punëtorët e Rafinerisë janë në grevë, sepse investitori serioz i Edi Ramës ia mbathi me dhjetëra-milionë euro fitim, pa paguar punëtorët dhe as detyrimet ndaj qeverisë së Edi Ramës. Ia mbathi në mes të ditës, pa i hyrë gjemb në këmbë. Këtë skemë e bëri jo vetëm një herë, por 3 herë. Fitoi qindra-milionë euro, pa dhënë rroga dhe detyrime. Investitori serioz i Edi Ramës, regjistroi 3 herë kompani offshore, sigurisht “pa dijeninë” e Edi Ramës. Dhe po tre herë përsëriti të njëjtën skemë: erdhi, pa dhe fitoi”, shprehet ai.

“Humbën ata që nën këtë qeveri humbin gjithmonë: njerëzit e varfër dhe punëtorët e pamundur. Punëtorët aty duan zgjidhje. Duan paratë që u takojnë për punën e tyre të ndershme. Nuk kanë nevojë për batuta, po për bukë për familjet e tyre. Zgjidhja është ajo që Lulzim Basha ka ofruar: 8 milionë euro paga të padhëna dhe ndjekje penale për investitorin serioz të Edi Ramës”, u shpreh Bozdo. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.