BE: 20 miliardë euro investime për IA

BRUKSEL, 29 tetor /ATSH-ANSA/ – Inteligjenca Artificiale duhet të jetë antropocentrike, kjo është arsyeja pse ne jemi duke menduar për një investim prej mbi 20 miliardë euro në vit për dekadën e ardhshme, duke u fokusuar në inovacionin digjital, infrastrukturën dhe super kompjuterat, deklaroi nënkryetarja e Komisionit Margrethe Vestager në komisionin special për Inteligjencën Artificiale (IA) të Parlamentit të BE.

Duke ilustruar propozimin për të rregulluar IA, që Komisioni i BE do të paraqesë në fillim të vitit, komisionerja përsëriti se potenciali i IA është i konsiderueshëm, por “ekziston rreziku që kostot të jenë të larta, jo vetëm për njerëz ose kompani, por edhe për mjedisin. Ndikimi i karbonit ka të ngjarë të jetë 5 herë më i lartë se emetimet e një makine, në kërkimin e teknologjive të reja”.

Komisioni po punon për një strategji që synon të krijojë një treg të vetëm të të dhënave.

“Asnjë kompani nuk do të miratojë teknologji të reja nëse nuk janë të sigurt se mund t’i kontrollojnë ato”, theksoi ajo.

Lidhur me njohjen e fytyrës, Vestager theksoi se “sot ekziston në fakt një moratorium, sepse për të përdorur IA në hapësirën publike duhet të ekzistojë një bazë ligjore kombëtare, e cila nuk është sot”. /os/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.