Bardhi: Rrëzimi i dekretit të Metës për Kodin Zgjedhor, kundër interesit të shqiptarëve

TIRANË, 29 tetor /ATSH – I. Vata/  “Edi Rama ka frikë nga zgjedhjet, sepse ai nuk e do Europën dhe bën gjithçka për të penguar integrimin europian të Shqipërisë. Rrëzimi i dekretit të Presidentit të Republikës për Kodin Zgjedhor është kundër interesit të shqiptarëve”, tha sot Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi, në një deklaratë për shtyp.

Në deklaratë, Bardhi shprehet se “me rrëzimin e dekretit të presidentit, duke refuzuar thirrjen e Bashkimit Europian për të pritur opinionin e Komisionit të Venecias për Kodin e njëanshëm Zgjedhor, Shqipëria është më pak demokratike dhe më pak europiane”.

“Qeveria e Edi Ramës është identifikuar në Bruksel dhe në kryeqytetët kryesore europiane si një qeveri që punon kundër integrimit europian dhe kundër interesit të qytetarëve. Me refuzimin që i bëri thirrjeve të përsëritura të Bashkimit Europian, Edi Rama nuk ndryshon nga Llukashenko. Për pushtetin e tij personal, është gati t’i vërë zjarrin Shqipërisë, të izolojë shqiptarët dhe t’i ndëshkojë ata duke penguar me dashje hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian”, u shpreh Bardhi.

Po ashtu, Bardhi shtoi se “injorimi i thirrjes së Bashkimit Europian për të pritur Opinionin e Komisionit e izolon përfundimisht Shqipërinë dhe e fut në hartën e vendeve që janë në kurs përplasje me Europën. Kjo është përgjegjësia e vetëm një njeriu, që pushtetin e tij personal e vendos mbi interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve”.

“Tentativa e Edi Ramës për ta vënë Komisionin e Venecias përpara faktit të kryer, me teorinë që me Opinionin do të shohim se çfarë mund të bëjmë pas zgjedhjeve, është qasja më antidemokratike që mund të mbajë kryeministri i një vendi që pretendon të nisë negociatat me BE. Kurrë në këto 30 vite Shqipëria nuk ka shmangur ekspertizën e Komisionit të Venecias dhe ODIHR përpara miratimit dhe implementimit të ligjit zgjedhor, as kur ai ka qenë konsensual”, tha ai.

Bardhi theksoi se “asnjë palë nuk mund të imponojë rregulla të njëanshme palëve të tjera pjesëmarrëse në zgjedhje”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.