VIDEO-Shfaqje teatrale në ambiente të hapura/ Kiço Londo për ATSH-në: Ky model teatri do shtrihet edhe në qytete të tjera

TIRANË, 28 tetor/ATSH-Bledi Naska/ Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” pavarësisht situatës së krijuar nga pandeminë COVID-19, ka ngjitur në skenën verore një numër të konsiderueshëm shfaqjesh për publikun duke i afruar ata me magjinë e teatrit dhe duke respektuar gjithashtu protokollet e sigurisë.

Drejtori i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Kiço Londo, gjatë një interviste për ATSH-në, tha se për shkak të situatës së krijuar nga pandemia kanë vijuar  shfaqjet e shumta në skenën verore të Akademisë së Arteve dhe ambientet të tjera të hapura. Ai garantoi se ky model teatri do shtrihet edhe në qytete të tjera.

“Në këtë situatë, vendosëm me të gjithë stafin duke përfshirë këtu krijuesit, interpretuesit administratën dhe prapavijën që t’i hyjmë në mes përmbytjes dhe mesa duket ia kemi dalë. Kemi që nga muaji korrik që po japim shfaqje në ambiente të hapura. Kemi shfrytëzuar teatrin veror të Akademisë së Arteve dhe me këtë rast dua ta falenderoj Akademinë e Arteve për mbështetjen që na ka dhënë dhe kemi shfrytëzuar edhe ambientet në qytete të ndryshme të Shqipërisë, nga veriu, deri në jug, duke e konsideruar si një iniciativë tejet të veçantë këtë lloj praktike”, – tha Londo për ATSH-në.

Londo i premtoi publikut duke e falenderuar atë për pjesëmarrjen, se Teatri Kombëtar Eksperimental do të vijojë misionin e tij.

“Ka padyshim një plan për të vazhduar me shfaqjet edhe gjatë nëntorit, edhe pse shfaqjet në ambiente të hapura do të jenë të pamundura. Do t’ia lëmë kohës, jemi duke menduar për kohë me diell, pra për një hapje të teatrit. Besoj brenda muajit nëntor teatri do të hapet. Nëse nuk do të hapet, Teatri Kombëtar Eksperimental do të vazhdojë të ketë shfaqje”, – u shpreh Londo në intervistën e tij për ATSH-në. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.