Teliti: Qeveria në 7 vite u ka marrë fermerëve 100 milion euro nga rritje 24 lekë e taksës së qarkullimit

TIRANË, 28 tetor /ATSH – I. Vata/ Drejtori i kabinetit të PD-së, Dorian Teliti tha sot se qeveria në 7 vite u ka marrë fermerëve 100 milionë euro vetëm nga rritja me 24 lekë të taksës së qarkullimit mbi naftën që përdorin në bujqësi.

Sipas Teliti, deficiti vjetor i shkëmbimeve bujqësore vetëm me BE-në është thelluar me 85 milionë euro që kur Rama erdhi në pushtet.

“Me statistika të rreme për sipërfaqen e tokës së ujitur, Rama prapë nuk i mbulon dot premtimet e gënjeshtërta për fermerët shqiptarë. Ujitja e 5 mijë ha tokë më shumë në vit është thjesht qesharake (210 mijë ha kishin akses në ujë në 2013). Kurrë me qartë se gjatë kësaj pandemie u duk braktisja dhe nënçmimi i Rama për fermerët. 48% e popullsisë së vendit jeton në zonat rurale, 20% e ekonomisë shqiptare vjen nga bujqësia, por Rama dha vetëm 6 milionë për fermerët. 15 herë më pak se Kosova (91 mln euro), 13 herë më pak se Maqedonia e Veriut (80 mln Euro), 10 herë më pak se Mali i Zi (61 mln euro)”, shprehet ai.

Sipas Telitit “Rama ka vëmendje, para dhe interes vetëm për një sektor: ekonominë mafioze të PPP-ve të plehrave”. /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.