SOFT NEWS – Van Damme shpëton edhe një… kone!

SOFJE, 28 tetor /ATSH-AFP/ – Ndërhyrja e aktorit të famshëm belg Jean-Claude Van Damme bëri të mundur shmangien e vdekjes së sigurt të një koneje të dërguar nga Bullgaria në Norvegji me një pasaportë false, njoftoi një fondacion për mirëqenien e kafshëve.

“Emri i saj është Raya dhe nuk mund të regjistrohej kur mbërriti për shkak të një pasaporte të rreme. Norvegjia kërcënoi se do ta eliminonte atë nëse Sofja nuk e rimerrte”, theksoi Yavor Guetchev, nga shoqata ”Vier Pfoten”.

Por, blerësi i saj norvegjez postoi një peticion në internet që tërhoqi vëmendjen e yllit belg të filmave aksion.

“Me rastin e ditëlindjes sime lutem që kjo kone të mos vritet (…)”, theksoi Jean-Claude Van Damme këtë fundjavë në një video të postuar në rrjetet sociale.

Dhe Bullgaria, duke iu referuar rregullave të rrepta shëndetësore të Bashkimit Europian, që ndalon hyrjen në territor të kafshëve të gjalla me dokumente false udhëtimi, bëri një përjashtim duke pranuar kthimin e Rayas.

“Autoritetet Bullgare duhet të përgëzohen për fleksibilitetin e treguar, por ata duhet të ushtrojnë kontroll më të rreptë mbi kafshët klandestine dhe rrjetet e paligjshme të tregtisë së kafshëve”, komentoi Yavor Guetchev.

“Shumë vende të Evropës Qendrore dhe Lindore, të tilla si Sllovakia, Hungaria ose Bullgaria, e kanë bërë një biznes fitimprurës shumimin e qenve të racës së pastër, të cilët më pas shiten në Europën Perëndimore”, sipas Guetchev./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.