Ruçi uron Kryeparlamentarin Vondráček: Republika Çeke, mike dhe partnere e Shqipërisë

TIRANË, 28 tetor /ATSH – I. Vata/ Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar sot një letër urimi Kryetarit të Dhomës së Deputetëve të Republikës Çeke, Radek Vondráček, me rastin e 28 Tetorit, Ditës Kombëtare.

“Me rastin e Ditës Kombëtare të Republikës Çeke, Ju dërgoj urimet më të përzemërta Ju, Dhomës së Deputetëve dhe popullit mik çek. Republika Çeke është një vend mik dhe partnere e mbështetëse e fuqishme e Shqipërisë. Kjo miqësi buron nga historia, marrëdhëniet tradicionale dhe respekti reciprok të dy popujve tanë për njëri-tjetrin”, shprehet Ruçi.

Po ashtu, Ruçi shton se “Republika Çeke është gjithashtu një mbështetëse, nxitëse dhe inkurajuese e rrugëtimit tonë europian. Së bashku me vendet e tjera të Grupit të Vishegradit, ju jeni bërë promotorë të çeljes sa më shpejt të negociatave me Shqipërinë. Vendimi i marrë nga Këshilli i Bashkimit Europian në datën 25 mars 2020 për hapjen e negociatave, i bazuar në progresin e arritur në reformat dhe përmbushjen e kushteve të përcaktuara nga Këshilli, është rezultat edhe i kontributit të Republikës Çeke”.

“Mbështetja e Dhomës së Deputetëve dhe e Juaja personalisht ka qenë një faktor nxitës për çeljen e negociatave, për të cilën populli shqiptar ju është thellësisht mirënjohës”, shprehet në letrën e urimit Kryetari i Kuvendit, Ruçi. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.