Rama, grave greviste të Ballshit: Dilni nga greva e të bisedojmë, po punojmë për gjetur investitorë që të rindezin rafinerinë

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje sot grave greviste të Ballshit që të mbyllin grevën, ndërsa u shpreh se “ne po punojmë për të gjetur investitorë seriozë që të rindezin rafinerinë dhe greva nuk ndihmon as për këtë”.

“Të dashura greviste të Ballshit, është e drejta juaj të mos dilni nga greva, por është e pamundur të ulemi bashkë me presione e ultimatume! Jam gati të vij tek ju sapo të mbyllni grevën e të flasim si do mundemi t’ju ndihmojmë për këtë hall që nuk e ka krijuar qeveria”, tha Rama.

“Ndërsa për ndihmën e mundshme shtetërore ndërkohë, meqë ju s’pranoni as të dilni në asistencë, ka vetëm një rrugë: Mbyllni grevën dhe ulemi qajmë hallin”, shtoi ai.

Ndërkohë, naftëtarët grevistë i janë përgjigjur thirrjes së kryeministrit, duke theksuar se “nuk do të dalin nga greva pa marrë diçka konkrete, por janë të gatshëm që të ulen të bisedojnë”.

“Ne i themi Ramës i faleminderit për këto mesazhe, por ne nuk jemi kundër uljes në tavolinë, të na caktojë datën, orën dhe vendin e takimit, kur të marrim diçka konkrete nga kryeministri Rama atëherë do të dalim nga greva”, tha një naftëtar për mediet.

Kryeministri u shpreh se “Qeveria nuk negocion nën presionin e askujt”.

“Miqtë e mi jo, më vjen keq po ne nuk do të ulemi dot në tavolinë pa u mbyll greva! Qeveria nuk negocion nën presionin e askujt dhe nuk pranon ultimatume nga askush. Mbyllni grevën dhe do të vij unë tek ju, menjëherë! Ndryshe s’ka bisedime”, tha Rama.

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi i është përgjigjur Kryeministrit Edi Rama në lidhje me grevën e grave në Ballsh duke u shprehur se, “hiq dorë nga presioni mbi gratë greviste në Ballsh. Ka vetëm një rrugë me grevistët: Paguaj djersën e vjedhur deri në qindarkën e fundit”.

/m.m/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.