Pompeo: Nder për trashëgiminë dhe tolerancën e Shqipërisë që bashkon përpjekjet për të luftuar antisemitizmin

TIRANË, 28 tetor /ATSH/ Sekretari amerikan i Shtetit, Michael Pompeo deklaroi se falë heroizmit të shqiptarëve të thjeshtë, Shqipëria u bë strehë për hebrenjtë për t’i shpëtuar nazizmit.

Në fjalën e tij për Forumin Ballkanik kundër Antisemitizmit, ai u shpreh se, “është e udhës që ky aktivitet zhvillohet në Shqipëri, që Shqipëria është një mik i madh i SHBA-së”.

“Pas Luftës së Dytë dhe Holokaustit ishte vendi i dytë që ofroi një ndihmë shumë të rrallë dhe shumë të nevojshme për hebrenjtë. Ju i ofruat strehë edhe u dhatë edhe dokumente false që të mbijetonin. Dhe në fund të luftës ka pasur më shumë hebrenj që jetonin në Shqipëri sesa para luftës. Nder për Shqipërinë, për trashëgiminë e saj dhe për tolerancën e saj, ashtu siç reflektohet nga ky Kuvend që bashkon përpjekjet për të luftuar antisemitizmin bashkë me vendet e tjera”, tha Pompeo.

Por, shtoi Pompeo, ne nuk jemi këtu për të folur për historinë, por për të ngritur zërin kundër antisemitizmit, sepse ne kemi përgjegjësinë për të mbytur çdo përpjekje kundër antisemitizmit.

“Së pari duhet ta identifikojmë këtë kërcënim dhe të gjejmë mënyrat për ta luftuar. Siç tha edhe z. Trump është shumë e rëndësishme që të përkufizohet antisemitizmi, që të ketë një fushë të barabartë për të gjitha kompanitë dhe për të gjitha shtetet”, tha ai.

“Kemi parë një përhapje faktikisht të antisemitizmit që është shqetësuese. Dhe në vendet me shumicë myslimane duhet të flasim që ata të flasin në emër të tolerancës dhe në emër të besimit të Abrahamit. Ka vendosmëri për të mbrojtur të drejtat e njeriut, të çdo njeriu, të çdo burri, gruaje dhe fëmije. Le të garantojmë sigurinë e çdo personi që ne të gjithë të jetojmë krah për krah dhe në paqe”, theksoi Pompeo.

“Falemnderit shumë dhe ju falënderoj shumë për këtë punë të shkëlqyer. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe popullin shqiptar!” – përfundoi fjalën e tij Sekretari amerikan i Shtetit, Michael Pompeo. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.