Politikat lehtësuese/ Përfituan mbi 14 mijë biznese të vogla, mbështetje sektorit të turizmit dhe atij fason

TIRANË, 28 tetor /ATSH/ Paketat financiare të dhëna nga qeveria gjatë periudhës së mbylljes së ekonomisë nga pandemia e Covid-19, ndihmuan biznesin dhe qytetarët për të përballuar efektet negative.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë prezantimit të zërit Të të ardhurave në projektligjin “Për buxhetin e 2021”, theksoi rëndësinë e dy paketave të ndihmave financiare për punonjësit, si dhe dy garancitë sovrane për biznesin të dhëna gjatë muajve mars-qershor të këtij viti.

Si masë lehtësuese për biznesin, Ministrja vlerësoi mospagimin për gjatë gjithë vitit 2020 të detyrimeve tatimore mbi të ardhurat për bizneset e vogla, ku përfituan 14410 biznese të vogla.

“E njëjta masë është marrë edhe për bizneset, të cilat janë të mëdha, por të fokusuara në sektorin e turizmit, call center dhe industrinë fason dhe konkretisht nga kjo masë kanë përfituar 23917 biznese, sikurse janë shtyrë afatet e deklarimit për pagesën e detyrimit të fitimit të vitit 2019 për të gjithë bizneset në një numër prej 24945 biznese. Të treja këto masa kanë pasur një efekt buxhetor për vitin 2020, i cili llogaritet në nivelin 19. 1 miliardë lekëve”, tha Denaj.

Ministrja e Financave paraqiti gjithashtu para deputetëve nismat për lehtësi fiskale që do ta kenë efektin financiar në 2021, si me zerimin e tatimfitimit për bizneset me qarkullim deri në 14 milionë lekë.

”Ne realizuam këtë zerim nëpërmjet adresimit të dy kategorive, asaj që ka të bëjë me bizneset me xhiro 5-8 milionë lekë, ku ndryshimi parashikohet të sjell një efekt me gati 350 milionë lekë, ndërkohë zerimi i detyrimit të tatimfitimit për bizneset me xhiro nga 8-14 milionë lekë ka një efekt në shifrën e 300 milionë lekë”, tha Denaj.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.