Mjeku Sulçebe: 20% e qytetarëve në Tiranë të imunizuar nga COVID-19

TIRANË, 28 tetor /ATSH/ Mjeku imunolog Genc Sulçebe ka deklaruar se aktualisht në Tiranë 20% e qytetarëve kanë krijuar imunitet ndaj COVID-19.

“Aktualisht në Tiranë ne duhet të jemi afër shifrës 20%, por në rang vendi shifrat janë më të ulta padyshim, mund të jemi tek 10% akoma”, tha Sulçebe.

Ai u shpreh se një person që e ka kaluar koronavirusin i zgjatet periudha e imunitetit.

“Imuniteti është në varësi të intensitetit të kalimit të sëmundjes. Për shembull imuniteti ndaj SARS dhe MERS është afatgjatë, janë gjetur edhe mbas shumë vitesh antitrupa në këta individë. Mendohet se imuniteti edhe këtu do të jetë i ngjashëm, pra do të ketë një zgjatje mbas një, dy apo dhe më tepër vjet padyshim. Pra duhet të jemi të qetë që mbas kalimit të këtij infeksioni ne kemi imunitet pra jemi të mbrojtur nga riinfektimet e mëtejshme”, u shpreh imunologu Sulçebe.

Ndërsa mjeku Arjan Harxhi është i mendimit që duhet të rishikohet protokolli i mjekimit për të prekurit nga virusi, pasi ka një mbipërdorim të antibiotikëve.

Ai tha se, “është momenti që të rishikohen qoftë protokollet e menaxhimit të të sëmurëve në kushte ambulatore, por të rishikohen dhe si të thuash nga çdo mjek, sjellja e tij, e përshkrimit të barnave për manaxhimin e këtyre të sëmurëve. Sepse informacioni dhe të dhënat janë që ka një mbipërdorim më shumë seç duhet dhe në kohën dhe në vendin jo të duhur të përdorimit të antibiotikëve dhe të kortizonikëve në të sëmurët me forma ambulatore”, tha mjeku Arjan Harxhi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.