Mirënjohje për sakrificën e mjekëve dhe infermierëve/ Zbatim i rregullave të thjeshta që frenojnë përhapjen e Covid-19

TIRANË, 28 tetor /ATSH/ “Një mënyrë e mençur për të shprehur mirënjohjen për sakrificën disamujore të mjekëve dhe infermierëve, që po u shërbejnë pacientëve në këto ditë të vështira kudo, në të katër anët e Shqipërisë, do të ishte zbatimi i atyre rregullave të thjeshta që frenojnë përhapjen e Covid-19”, u shpreh sot ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

“Secili prej jush mund të bëjë kaq shumë, për të mos lejuar që të infektohet vetë dhe të infektojë të afërmit”, u shpreh Manastirliu.

“”Shkopin magjik” nuk e ka sot askush! Vaksina ende nuk ka dalë, ndërsa kurat që përdor e gjithë bota dhe Shqipëria, shënjestrojnë simptomat dhe jo sëmundjen”, tha ajo.

“Virusi do të mposhtet një ditë dhe të gjithë ne do t’i kthehemi normalitetit. Por deri atëherë, ju lutem, bëhuni bashkëpunues me strukturat tona dhe përdorini armët e vetme që ka sot në dorë çdo njeri, kudo në botë: Maska; Distancimi; Higjiena. Kështu do t’ia dalim”, theksoi Manastirliu. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.