Meta pranon Letrat Kredenciale të Ambasadores së re të Francës në Shqipëri, Elisabeth Barsacq

TIRANË, 28 tetor /ATSH – I. Vata/ Presidenti Ilir Meta ka pranuar sot Letrat Kredenciale të ambasadores së re të Francës në Shqipëri, Elisabeth Barsacq.

Meta shprehet se “vlerësova marrëdhëniet shumë të mira tradicionale dhe politike me Francën dhe e falënderova për mbështetjen e pakursyer e të sinqertë të dhënë në avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian”.

“Theksova se vendimi politik i Këshillit Europian i marsit për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është një mundësi historike për përparimin drejt Bashkimit Europian”, tha ai.

Po ashtu, Meta shton se “vura në dukje se, fatkeqësisht, Shqipëria është ende shumë larg përmbushjes së  kushteve që kërkohen për zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, pasi kushti i parë kyç, reforma zgjedhore konsensuale, që do duhet t’i paraprijë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, u prish në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca me ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor”.

“Inkurajova rritjen e investimeve franceze në Shqipëri dhe, në këtë kuadër, shpreha besimin se hyrja në fuqi e Marrëveshjes me Agjencinë Franceze të Zhvillimit (AFD), do t’i japë një shtysë të rëndësishme projekteve zhvillimore në vendin tonë”, shprehet Meta.

/a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.