Meta letër Manastirliut: Përkeqësim i situatës nga COVID-19, rivlerësim tërësor i masave të marra

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër zyrtare ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, për dijeni Kryeministrit Edi Rama dhe Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, ku i ka kërkuar të bëhet një rivlerësim tërësor i situatës dhe masave të marra në raport me të, duke konsideruar edhe afrimin e stinës së ftohtë, një tjetër faktor rëndues.

Kreu i shtetit shprehet se “nisur nga përkeqësimi i dukshëm i situatës së pandemisë COVID-19, me shtim të numrin të personave të infektuar, e fatkeqësisht me rritje edhe të numrit të qytetarëve të cilën kanë humbur jetën, shtrohet si domosdoshmëri një rivlerësim tërësor i situatës dhe masave të marra në raport me të, duke konsideruar edhe afrimin e stinës së ftohtë, si një tjetër faktor rëndues”.
“Me përshkallëzimin e krizës së rëndë politike e institucionale, veçanërisht pas shkeljes brutale e të njëanshme të Marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit, situata e pandemisë pritet të përkeqësohet drejt një katastrofe, që duhet parandaluar në kohë”, – tha Meta.
Në letrën drejtuar ministres Manastirliu, Meta thekson se “elementët themelorë, të përcaktuara qartë nga OBSH, si testimi, gjurmimi dhe trajtimi, kërkojnë natyrshëm një intensifikim të jashtëzakonshëm të masave për realizimin e plotë të tyre. Duke pasur parasysh që Shqipëria ka numrin më të ulët të testimeve në Evropë, çfarë masash janë marrë për të shtuar këtë numër? A ka ndonjë parashikim se kur dhe sa do të rritet numri i testimeve në ditët në vijim?”.

Më tej, Meta, shprehet se “për sa i takon trajtimit, vërehet qartë se të dy strukturat e përcaktuara, spitalet COVID1 dhe COVID2 janë tepër të ngarkuara. Sa kapacitete spitalore dhe reanimatore janë vendosur në dispozicion të të sëmurëve Covid dhe sa në dispozicion të të sëmurëve të tjerë me sëmundje kronike ose jo, të cilët kanë vështirësi në marrjen e ndihmës mjekësore? A ka një plan koordinimi midis sistemit shëndetësor publik e atij privat për testimin, gjurmimin dhe kurimin sa më të mirë të pacientëve të prekur nga Covid-19?”.

Presidenti kërkon të dijë gjithashtu se çfarë masash janë marrë për sigurimin e vaksinës dhe për vaksinimin e popullsisë kundër Covid-19 dhe si mendohet të kryhen fazat e këtij vaksinimi menjëherë mbas daljes së vaksinës? A janë planifikuar në buxhetin e shtetit fonde të mjaftueshme për përballimin e pandemisë Covid-19, në rritje dhe pasojat e saj në shëndetin e popullsisë?

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.