MEPJ: Kthimi i fëmijëve dhe i personave të tjerë të pa përfshirë në akte kriminal, detyrim humanitar

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Kthimi i fëmijëve dhe i personave të tjerë të papërfshirë në akte kriminale apo terroriste është një detyrim humanitar.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, të mërkurën, njoftoi zyrtarisht përfundimin me sukses të plotë të operacionit të riatdhesimit të pesë qytetarëve shqiptarë nga Siria Verilindore, prej të cilëve katër fëmijë dhe një grua me probleme të theksuara shëndetësore.

“Finalizimi i këtij operacioni të rëndësishëm humanitar u bë i mundur falë bashkëpunimit, profesional e serioz si dhe mbështetjes së pakursyer të autoriteteve Libanit, Sirisë dhe atyre Administratës Autonome të Sirisë Veriore dhe Lindore”, thekson Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.

“Qeveria e Republikës së Shqipërisë shpreh falënderimet më të sinqerta për bashkëpunimin dhe mbështetjen e autoriteteve dhe agjencive të tjera të përfshira në këtë operacion si dhe shpreh besimin se ky bashkëpunim do të vijojë edhe në të ardhmen për të mundësuar kthimin në Shqipëri të të gjithë fëmijëve shqiptarë apo edhe personave të tjerë të cilët nuk kanë kryer krime apo akte të tjera terroriste”, njofton Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.

“Kthimi i fëmijëve dhe i personave të tjerë të pa përfshirë në akte kriminale apo terroriste është një detyrim humanitar i rëndësishëm, por edhe një kontribut i çmuar në luftën e përbashkët kundër terrorizmit”, përfundon njoftimi i Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.